Sport

Pronari i ri i Cruzeiros, Ronaldo, u thotë tifozëve se nuk është superhero

Ronaldo bleu Cruzeiron fundjavën e kaluar, por fituesi i Kupës së Botës u ka bërë thirrje tifozëve të klubit brazilian që të mos e trajtojnë atë si superhero, por si administrator të përkushtuar që mund ta ndihmojë klubin në vështirësi.

Në moshën 16-vjeçare, Ronaldo bëri debutimin e tij profesional me Cruzeiron në vitin 1993, përpara se të bëhej një nga qendërsulmuesit më të mëdhenj në historinë e futbollit. Tani një biznesmen stabil me interesa në futboll dhe marketing sportiv, ish-lojtari i Real Madridit pagoi 60 milionë euro të shtunën e shkuar për t’i blerë aksionet dhe për ta kontrolluar klubin nga Belo Horizonte.

Cruzeiro është një nga skuadrat më të mëdha të Brazilit, por ka ngecur në divizionin e dytë për dy vjet dhe do të përballet me një edicion të tretë në Serie B në vitin 2022. Klubi është në borxhe të thella dhe Ronaldo po shihet shpëtimtar nga tifozët, të cilët e festuan me orë të tëra blerjen e klubit nga ish-sulmuesi i Brazilit. Ronaldo u ka kërkuar atyre që të jenë të durueshëm, pasi ka thënë se nevojitet pak kohë që Cruzeiro të kthehet fuqishëm.

“E di që është koha që Cruzeiro të kthehet. Është radha ime të përpiqem të hap dyert për ekipin. Jo si hero. Jo me superfuqi për të ndryshuar realitetin. Por me përgjegjësi të madhe. Me menaxhim inteligjent dhe të qëndrueshëm për rritje afatmesme dhe afatgjatë”, u ka thënë Ronaldo tifozëve në një letër të hapur. “Nuk i kam të gjitha përgjigjet për pyetjet që i bëj vetes dhe ndoshta nuk do t’i kem të gjitha përgjigjet për pyetjet që do të më bëni ju. Ajo që e di është se si fëmijë mësova në Cruzeiro se ëndrrat mund të realizohen. Dhe kjo më bën të besoj se është e mundur të shpëtoj klubin nga kriza që e ka kapluar”.

Cruzeiro është klubi i dytë që Ronaldo e ka futur nën menaxhim. Pasi u largua nga Cruzeiro, Ronaldo karrierën si lojtar e vazhdoi te PSV Eindhoveni, Barcelona, Interi, Real Madridi, Milani e Corinthiansi. Para Cruzeiros, Ronaldo në vitin 2018 i bleu 51 për qind të aksioneve në klubin spanjoll Real Valladolid.

Marrëveshja e Cruzeiros erdhi vetëm disa muaj pasi kongresi brazilian votoi një ligj që lejon klubet e futbollit, historikisht në pronësi të tifozëve dhe të mbyllura për investitorët e jashtëm, të bëhen biznese. Ronaldo beson se mund ta transformojë klubin.

“Ne po fillojmë një kapitull të ri në historinë e klubit”, tha ai. “Jam kthyer, sepse besoj se Cruzeiro mund të kthehet. Po kthehem për të qenë pjesë e ndryshimit në futbollin brazilian”.

Ronaldo beson se kthimi dhe ngritja e Cruzeiros do të jenë shembull për të gjitha klubet latine, por thotë se nuk ka një datë të saktë për një gjë të tillë. Sipas tij, e rëndësishme është se puna për ngritjen e Cruzeiros tashmë ka nisur.

“Nuk kam ndonjë afat të caktuar, por mund të them se brenda një periudhe të shkurtër Cruzeiro do të kthehet në elitën e futbollit brazilian dhe do të luftojë për trofe. Do të jemi shembull për të gjithë”, shtoi ylli i futbollit.

Cruzeiro është themeluar para 100 vjetësh dhe ndeshjet i luan në stadiumin “Mineirao” me një kapacitet prej 60 mijë ulëseve.

Ronaldo ka në pronësi 90 për qind të aksioneve, ndërsa trajner i ekipit është Vanderlei Luxemburgo. Ka të fituar katër tituj kampioni të Brazilit, të fundit në vitin 2014.