Sport

Gjimshiti thotë se Shqipëria do të luftojë për çdo pikë në Ligën e Kombeve

Descriptive Text

Tiranë, 20 dhjetor – Qendërmbrojtësi i Përfaqësueses së Shqipërisë, Berat Gjimshiti, e ka vlerësuar të vështirë shortin e Ligës së Kombeve. Por lideri i mbrojtjes ka insistuar se “kuqezinjtë” do të luftojnë për secilën pikë në Ligën B.

Shqipëria është pjesë e grupit B2. Në edicionin e tretë të Ligës së Kombeve, që nis në qershor të vitit të ardhshëm, do të përballet me Rusinë, Islandën e Izraelin.

Gjimshiti, i cili vlerësohet prej lojtarëve kryesor te Shqipëria, ka pranuar se kundërshtarët nuk janë aspak të lehtë. Mirëpo, me bindje të plotë ka theksuar se Shqipëria do të dhurojë ndeshje të bukura ndaj kundërshtarëve të nivelit të dytë evropian. Fituesi i grupit avancon në Ligën A ndërsa përfaqësuesja që mbetet e fundit në grup, do të bie në një nivel më poshtë – Ligën C.

Ndeshjen e parë në edicionin 2022/23 të Ligës së Kombeve, Shqipëria e luan në shtëpi kundër Rusisë, më 2 qershor.

Sipas Gjimshitit, që është pjesë e ekipit nga Serie A, Atalanta, synimet e Shqipërisë do të përcaktohen me kalimin e ndeshjeve. Ai pret që në edicionin e ri të Ligës së Kombeve, ekipi i përzgjedhësit Edoardo Reja ta konfirmojë rritjen e vazhdueshme që e ka pasur.

“Shorti i Ligës së Kombeve më duket i vështirë për Shqipërinë, por në të njëjtën kohë do të na dhurojë emocione mjaft të bukura sa i përket sfidave që do t’i kemi, duke u përballur me këto ekipe që janë shumë të forta”, ka thënë Gjimshiti për faqen zyrtare të Federatës Shqiptare të Futbollit (FSHF). “Sigurisht, objektivat duhet t’i përcaktojmë me kalimin e kohës, por është e rëndësishme që ne të tregojmë se do të luftojmë për çdo pikë në këtë grup dhe do të dëshmojmë vlerat tona. Si dhe të konfirmojmë edhe një herë rritjen e kombëtares shqiptare në kohët e fundit”.

Pas duelit më Rusinë, Shqipëria do të luajë në udhëtim te Islanda (6 qershor), përpara se të përballet me Izraelin (10 qershor) në shtëpi. Në ndeshjen e fundit të qershorit do të jetë mysafire e Rusisë (13 qershor). Dy ndeshjet e fundit të grupit B2, Shqipëria do t’i zhvillojë me Izraelin në udhëtim më 24 shtator, për ta mbyllur këtë edicion në stadiumin “Air Albania” ndaj Islandës, tri ditë më vonë.

Në edicionin e parë të Ligës së Kombeve, Shqipëria garoj në Ligën C ku përfundoi e fundit në grup. Ndërsa, promovimin në Ligën B e arriti në edicionin e dytë kur doli e para në Grupin C4, duke lënë pas Bjellorusinë, Lituaninë dhe Kazakistanin.