Sport

FIFA kundër idesë që në Ligën e Kombeve të përfshihen dhjetë përfaqësuese të Amerikës së Jugut

Nyon, 20 dhjetor - FIFA është gati të bllokojë propozimet e UEFA-s për të nisur një Ligë të zgjeruar të Kombeve që përfshin përfaqësuese të Amerikës së Jugut, ndërsa beteja e dy organizatave më të fuqishme të futbollit për kontrollin e kalendarit ndërkombëtar po intensifikohet.

FIFA ka reaguar pas njoftimit shokues të javës së kaluar se dhjetë përfaqësuese të Amerikës së Jugut do t'i bashkohen një Lige të Kombeve nga viti 2024.

FIFA ka mbetur e befasuar me propozimin i cili, sipas saj, kërcënon të ndajë futbollin ndërkombëtar në dysh, me UEFA-n dhe Konfederatën e Amerikës së Jugut (CONMEBOL) përballë pjesës tjetër të botës. Konfederata Aziatike e Futbollit dhe CONCACAF-i, e cila drejton futbollin në Amerikën e Veriut dhe atë Qendrore, janë veçanërisht të frustruara me këtë lëvizje të UEFA-s dhe CONMEBOL-it.

FIFA është gati të vendosë limite për Ligën e Kombeve, gjë që do ta bënte atë jo më shumë se një turne miqësor.

Përplasjet e FIFA-s e UEFA-s u rritën kur FIFA propozoi mbajtjen e Botërorit çdo dy vjet. Kjo ide e shtëpisë botërore të futbollit u kundërshtua fuqishëm nga Konfederata Evropiane (UEFA).

“FIFA është kategorikisht kundër idesë që në Ligën e Kombeve të përfshihen dhjetë përfaqësuese të Amerikës së Jugut për edicionin 2024. Kjo ide e UEFA-s e ka zemëruar shumë FIFA-n, e cila po punon në realizimin e planit për organizimin e Botërorit çdo dy vjet”, ka thënë një burim brenda FIFA-s në kushte anonimiteti.

Për të mos lejuar një Ligë të tillë të Kombeve, FIFA është e gatshme t’i kundërpërgjigjet UEFA-s duke dyfishuar fitimet e federatave anëtare, për ta fituar përkrahjen për organizimin e Kampionatit Botëror çdo dy vjet.

FIFA pretendoi të hënën se të ardhurat do të rriteshin nga 4.4 miliardë dollarë në 11.4 miliardë dollarë gjatë katër vjetëve, sipas një prezantimi të kësaj ideje. Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, është përballur me kundërshtimin e drejtuesve të konfederatave evropiane dhe të Amerikës së Jugut, si dhe nga Komiteti Olimpik Ndërkombëtar. Por ai ka avancuar me përpjekjet për të bindur 211 shoqatat anëtare për këtë ide.

Pikërisht me premtimin për të dyfishuar fitimet për federatat, FIFA po synon t’i hakmerret UEFA-s dhe CONMEBOL-it që kategorikisht janë kundër mbajtjes së Botërorit çdo dy vjet. Planet për një Ligë të Kombeve të zgjeruar dolën javën e kaluar pasi UEFA dhe CONMEBOL-i nënshkruan një memorandum të ri mirëkuptimi deri në vitin 2028, i cili do të përfshijë kampionët përkatës kontinentalë, Italinë dhe Argjentinën, të takohen në një ndeshje të ashtuquajtur “Finalissima” që do të zhvillohet në stadiumin “Wembley”, në qershorin e vitit të ardhshëm.

“Nga viti 2024, CONMEBOL-i do t'i bashkohet Ligës së Kombeve”, zbuloi javën e kaluar zëvendëspresidenti i UEFA-s, Zbigniew Boniek. “Nuk e dimë ende se në çfarë formule, në çfarë forme. Por ne nënshkruam një memorandum për bashkëpunimin mes CONMEBOL-it dhe UEFA-s dhe nga viti 2024 këto skuadra do të luajnë në Ligën e Kombeve”.

UEFA ka bërë të ditur se ka në plan disa projekte me CONMEBOL-in, por ende asgjë nuk ka konkrete.

“UEFA po punon në një numër projektesh me CONMEBOL-in, duke përfshirë një Ligë të përbashkët të Kombeve, por asgjë nuk është finalizuar dhe ende nuk është marrë asnjë vendim rreth kësaj ideje”, tha UEFA në një përgjigje.