Sport

Me Kryeziun e Prishtinën nisi ceremonia që tani ka traditën më të gjatë në vend

Atleti Zijadin Kryeziu ishte shpallur sportisti më i mirë i vitit 1997 në Kosovë. Ishte gazeta “Koha Ditore” ajo që kishte vendosur të shpallte më të mirët në sport, ndonëse në periudhë të vështirë, nën okupim e në prag të luftës.

Edhe pse në rrethana të jashtëzakonshme, aktivitetet sportive zhvilloheshin në Kosovë dhe “Koha Ditore” vendosi ta bënte vlerësimin që tani ka traditën më të gjatë në vend.

KOHA të mërkurën për herë të 23-të shpall më të mirët e vitit në sport.

Saktësisht 24 vjet më parë, më 20 dhjetor 1997, gazeta “Koha Ditore” kishte mbajtur ceremoninë e parë të shpalljes së sportistëve më të mirë të vitit. Ceremonia ishte mbajtur në një prej lokaleve në Prishtinë. Besim Hasani, atëherë kryetar i Komitetit Olimpik të Kosovës, Besim Dobroshi, doajen i gazetarisë sportive, dhe Mehmet Bogujevci, ish-nënkampion botëror në boks, ishin prej personaliteteve që me praninë e tyre kishin nderuar ngjarjen. “Koha Ditore” kishte formuar një komision për të vlerësuar më të mirët, që përbëhej nga: Agim Binaku, Belul Beqaj, Gani Kosumi, Ahmet Kurtolli dhe Shkumbin Mustafa. Ky i fundit ishte redaktor i sportit në “Koha Ditore”.

Atletit Kryeziu, që njihej prej vrapuesve më të mirë që ka pasur Kosova, çmimin ia kishte ndarë kryeredaktori i “Kohës Ditore”, Veton Surroi.

Me mirënjohje të posaçme ishin nderuar tri karateiste të reja që kishin fituar medalje në një garë në Mishkolc të Hungarisë.

Klubi i futbollit “Prishtina” ishte shpallur më i miri i vitit 1997. Dy klubet e tjera të vlerësuara ishin KH “Prishtina” (femrat) dhe KH “Besa” Pejë.

Në dhjetëshen e sportistëve më të mirë ishin edhe: Afrim Latifi (karateist), Jeton Qubreli (futbollist), Anton Berisha (karateist), Shqipe Bajçinca (hendbolliste dhe atlete), Bedri Sadiku (shahist), Naim Malazezi (atlet), Edmond Vokshi (hendbollist), Bekim Maxhuni (basketbollist) e Bujar Turjaka (skitar).

Zijadin Kryeziu gjatë 1997-s ishte paraqitur në tetë gara. Kishte dominuar në garat vendore duke i fituar të gjitha ato ku ishte paraqitur. Kishte fituar një garë vrapimi në 10 mijë metra të mbajtur në Stokholm të Suedisë. Në një miting të mbajtur në Shkup ishte renditur i dyti në 1 500 metra.

Kryeziu atëbotë ishte në kulmin e karrierës si atlet. Si vrapues ishte shquar për vite të tëra, ndërsa tani është prej trajnerëve më të vlerësuar në vend. Udhëheq klubin “Rogana”, që i ka atletët më të mirë në vrapime të shtigjeve të mesme e të gjata.

Tradita e bukur e nisur në vitin 1997 nuk mundi të vazhdonte në vitet 1998 e 1999 për shkak të luftës. Vazhdoi në vitin 2000, kur “Koha Ditore” e KTV-ja shpallën Besnik Hasin më të mirin e vitit. Hasi është prej emrave më të mëdhenj të futbollit shqiptar.

Në vitin 2001 ishte shpallur Kushtrim Munishi, një tjetër futbollist i suksesshëm, ndërsa në vitin 2002 u vlerësua Luan Krasniqi, boksier i njohur. Në vitin 2003 formati ndryshoi paksa dhe u shpallën sportisti dhe sportistja më e mirë e vitit. Karateistët Afrim Latifi e Kaltrinë Krasniqi u vlerësuan më të mirët.

Luan Krasniqi e pingpongistja Besire Domaniku u veçuan, sipas KOHËS, në vitin 2004, ndërsa në vitin 2005 fituan Luan Krasniqi dhe Majlinda Kelmendi. Majlinda ishte vetëm 14-vjeçare, por nisi me suksese në xhudo dhe KOHA i besoi. Për një dekadë e gjysmë u vërtetua se besimi i KOHËS ishte i drejtë. Për një dekadë e gjysmë çmimet kryesore janë dominuar nga xhudistët. Rezultatet e tyre ishin larg më të mira se të sportistëve të tjerë. Dhe hendeku sa shkon e rritet.

KOHA mburret me traditën që e ka në shpalljen e më të mirëve. Vlerësimi i saj është shumë kredibil dhe matës shumë i mirë i sukseseve të sportistëve.

Të mërkurën do të mësohen më të mirët e vitit 2021, që ishte i jashtëzakonshëm sa u takon sukseseve në sport. Dy medalje të arta olimpike, medalje botërore, tituj e medalje evropiane janë prej sukseseve që kanë arritur sportistët e Kosovës.

Suksese të tilla kanë qenë ëndërr e synim i largët për sportistët e vendit, kur “Koha Ditore” shpallte për herë të parë më të mirët. Atëbotë sukses ishte të garohej pa u penguar nga okupatori serb. Sporti ishte formë e rezistencës aktive ndaj okupuesit. Sportistët e vendit gjenin forcë e energji për të korrur suksese në gara vendore e po ashtu edhe në gara ndërkombëtare. Kryesisht në turne, ku depërtonin me shumë vështirësi.