Sport

Arbër Zeneli pret të shkëlqejë në garën që e ka “specialitet”

Descriptive Text

Arbër Zeneli nuk e di ende saktë datën se kur do të kthehet në fushën e blertë. Por sulmuesi i skuadrës franceze, Reims, shpreson të kthehet në fillim të vitit të ardhshëm.

Për vitin e ardhshëm 26-vjeçari ka plane të mëdha me Kosovën, përkatësisht në Ligën e Kombeve të UEFA-s, garë në të cilën në edicionin e parë pati shkëlqyer. Më pas u përball me lëndime të shpeshta dhe paraqitjet me Kosovën dhe ekipin e tij Reims ishin të rralla.

Zeneli e ndihmoi Kosovën me katër gola drejt plejofit të Ligës D të Ligës së Kombeve. Duke fituar grupin në Ligën D, Kosova fitoi rastin të luajë ndeshje vendimtare për kualifikim në Evropian.

Zeneli shpreson ta ndihmojë Kosovën ta përsëritë suksesin e edicionit të parë të Ligës së Kombeve – ta fitojë grupin.

Shorti i edicionit të tretë i Ligës së Kombeve është tërhequr javën e kaluar. Kosova tani luan në Ligën C, që është niveli i tretë.

Liga e Kombeve është garë e re e Konfederatës Evropiane të Futbollit (UEFA). Kosova është pjesë e grupit të dytë të Ligës C së bashku me Greqinë, Irlandën e Veriut dhe fituesin e ndeshjeve mes Qipros e Estonisë.

“Mezi po e pres rikthimin. Më mungon fusha, por edhe t’i sfidoj kundërshtarët në fushë. Ka qenë një periudhë e vështirë, por e kam lënë prapa për t’u fokusuar për të ardhmen. Më kanë munguar ndeshjet me klubin e po ashtu edhe me Kosovën. Më kanë munguar shumë shokët e Përfaqësueses dhe ndeshjet me Kosovën. Por besoj se do t’i shpërblej me lojë dhe gola nëse do të luajmë të gjithë pa mungesa e pa lëndime”, ka thënë Zeneli të dielën për KOHËN.

Zeneli për “Dardanët” që prej vitit 2016 ka shënuar nëntë gola në 27 paraqitje. Prej nëntë golave, katër i ka shënuar në edicionin e parë të Ligës së Kombeve, në grupin 3 të Ligës D.

Kosova, si përfaqësueset e tjera evropiane, katër ndeshje i luan në qershor të vitit të ardhshëm e dy në shtator. Me gjashtë ndeshje përfundon kampanja në edicionin 2022-2023 të Ligës së Kombeve.

Nëse përfundon e para, Kosova në edicionin e ardhshëm të Ligës së Kombeve do të garonte në Ligën B, pra në nivelin e dytë. Nëse mbetet e fundit, rrezikon të bjerë në Ligën D, pra në nivelin e fundit, të katërt.

Kosova nuk ka pasur rezultate të mira gjatë vitit 2021. Ka mbetur e fundit në grupin kualifikues për Botërorin 2022, pas Spanjës, Suedisë, Greqisë e Gjeorgjisë.

Në Ligën C të Ligës së Kombeve nuk ka përfaqësuese të nivelit të Spanjës e Suedisë. Por ka përfaqësuese të nivelit të Greqisë, me të cilën përballet Kosova, apo përfaqësuese si Irlanda e Veriut, që vlerësohet më e fortë se Greqia.

Zeneli insiston se nëse Kosova do të jetë e kompletuar, gjasat janë të mëdha për ta fituar grupin.

“Nëse jemi pa mungesa të shumta në Përfaqësuese dhe kalojmë mirë e pa lëndime, kam bindjen se do ta fitojmë grupin. Por ne duhet të qëndrojmë me këmbë në tokë dhe t’i marrim me radhë ndeshjet. Ne kemi një grup të mirë të lojtarëve që luajnë në nivele të larta të futbollit evropian dhe kemi shpresë se mund të arrijmë diçka të madhe. Kanë kaluar disa vjet që luajmë së bashku dhe mendoj se kemi përvojë të duhur për t’iu bërë ballë përfaqësueseve kundërshtare”, ka theksuar Zeneli.

Ai së fundi ka luajtur në verë.