Sport

PSG - Monaco, ndeshja e veçantë e Mbappes

Paris Saint-Germaini do të ballafaqohet me Monacon në “Parkun e Princave” në kuadër të xhiros së 18-të në Ligue 1 të Francës. Ky duel, që vlerësohet si më interesanti në futbollin francez, luhet të dielën në orën 20:45 dhe e mbyll xhiron e fundjavës në Francë.

PSG-ja, pas suksesit të arritur në Ligën e Kampionëve kërkon që ta mbyllë serinë e dy ndeshjeve rresht pa fitore në ligë dhe të vazhdojë kryesimin sigurt.

Skuadra e drejtuar nga Mauricio Pochettino ka 42 pikë në krye të tabelës, 11-të më shumë se përcjellësi i parë, Rennesi, dhe 16-të më shumë se Monaco i vendit të gjashtë.

Ballafaqimi mes Paris Saint-Germainit e Monacos do të jetë i veçantë për Kylian Mbappen, sulmuesin parisien, i cili në vitin 2017 ndihmoi Monacon ta fitojë titullin e elitës së futbollit francez.

Mbappe vjen në këtë ndeshje pas dy golave të shënuar në Ligën e Kampionëve në fitoren 4:1 kundër Club Brugget. Dy gola të tjerë për skuadrën parisiene i shënoi ylli tjetër i skuadrës, Lionel Messi.