Sport

Gjysma e klubeve të Superligës kanë borxhe të pashlyera ndaj lojtarëve

Kampionia në fuqi e Kosovës, Prishtina, ka mbetur prapa në garën për ta mbrojtur titullin në Superligë. Prapa këtë edicion Prishtina ka mbetur edhe me shlyerje të borxhit financiar që ka ndaj lojtarëve të saj. Por, Prishtina nuk është klubi i vetëm që ka borxhe ndaj futbollistëve. Pa borxh nuk është as lideri i edicionit aktual, Ballkani, sikurse edhe Drenica, Feronikeli e Llapi. Te Llapi u është premtuar se pagën e fundit lojtarët në xhirollogaritë e tyre do t’i kenë brenda pak ditësh, ndërsa shpejt thonë se do t’ua shlyejnë borxhin e këtij edicioni edhe lojtarëve të Feronikelit. Feronikeli nuk i ka paguar lojtarët për muajin tetor dhe nëntor.

“Pagat e muajit dhjetor lojtarët do t’i marrin 10 ose 15 ditët e para të muajit janar, ndërsa besoj që shumë shpejt do t’u shlyhen edhe borxhet e këtij sezoni”, ka thënë drejtori i përgjithshëm i klubit nga Drenasi, Artan Berisha, të mërkurën për KOHËN.

Derisa te Feronikeli dhe Llapi kanë premtuar se shpejt do t’i kryejnë obligimet ndaj lojtarëve, premtime nuk kanë marrë edhe ata të Prishtinës, Drenicës dhe Ballkanit.

Kështu të paktën i kanë thënë KOHËS brenda këtyre klubeve në kushte anonimiteti. Ndërkohë KOHA ka mësuar se Drita, Gjilani, Dukagjini, Malisheva dhe Ulpiana nuk kanë obligime ndaj lojtarëve të tyre për këtë sezon. Trajneri i Llapit, Tahir Batatina, pranon se ende nuk është shlyer paga e fundit, ndërsa ka theksuar se brenda pak ditësh mjetet financiare do t’u dalin lojtarëve në xhirollogari. Ai ka insistuar se Llapi është ekip tejet i rregullt sa u përket pagesave, të cilat nuk janë lehtë të sigurohen. Sipas tij, Llapi ka shpenzime prej 60 mijë eurosh në muaj vetëm për paga.

“Është dashur normal që pagat të dalin deri më datën 10 të këtij muaji. BQK-ja nuk është më e rregullt se Llapi në pagesa. Kemi shlyer edhe premitë që ua kemi premtuar. Por, të jemi të sinqertë, është jashtëzakonisht e vështirë për ne klubet t’i sigurojmë me rregull mjetet financiare për të paguar lojtarët, pasi nuk kemi mbështetje nga niveli komunal dhe qendror në këtë kohë kur kishim mbyllje dhe bizneset kishin probleme. Nuk është e lehtë të sigurojmë nga 60 mijë euro paga mujore për lojtarët. Ia kemi dalë deri tash për t’i paguar të gjitha obligimet. Por, presim përkrahje e ndoshta edhe nga Federata të kemi ndonjë mbështetje në këtë kohë krize”, ka thënë Batatina.

Në fakt, në Kosovë klubet kanë shpenzime të mëdha në paga të lojtarëve. Ka futbollistë që paguhen edhe deri në shtatë mijë euro në muaj. Për të nxjerrë borxhet që ua kanë klubet, lojtarët kanë nisur tashmë disa vjet t’i ndjekin ato nëpërmjet FIFA-s apo edhe Federatës së Futbollit të Kosovës. Batatina është i mendimit që nga sezoni i ardhshëm të gjitha klubet të kenë ulje të pagave për të mos hasur në vështirësi financiare. Se klubet kanë obligime ndaj lojtarëve e thotë kryetari i Shoqatës për Mbrojtjen e të Drejtave të Futbollistëve, Visar Zogiani. Ai ka theksuar se lojtarët nuk i bëjnë ankesat në adresë të shoqatës nga frika se klubet mund t’u hakmerren.

“Ka disa prej tyre që lajmërohen individualisht, pasi derisa janë pjesë e ekipit shpresojnë që të paguhen, e në anën tjetër kanë frikë që nëse merret vesh që ata janë ankuar, atëherë klubi në një mënyrë mund t’u hakmerret. Por, tërthorazi na tregojnë për problemet që hasin”, ka thënë Zogiani.

Ai ka theksuar se shpenzimet e mëdha që kanë klubet ndaj lojtarëve shkaktojnë telashe në shlyerje të borxheve ndaj tyre.

“Shumica e klubeve kanë pasur organizim më të mirë se përpara duke sjellë lojtarë me përvojë dhe normalisht janë rritur edhe shpenzimet e mëdha që kanë ndikuar që te klubet të kenë probleme e po ashtu krizë shkaku edhe i pandemisë. Po lexojmë që edhe klubet e mëdha në Evropë po kanë probleme me pagesa. Secili futbollist që ka të nënshkruar kontratën dhe të protokolluar do t’u kryhen obligimet. Janë gjëra të pritshme kur ka shpenzime të mëdha dhe në këtë kohë pandemie, pasi përmes të hyrave nga bizneset klubet po kanë vështirësi në gjenerimin e të hyrave dhe kjo ka bërë që të ketë vonesa në paga”, tha Zogiani. “Nuk mund të flas me emra, por Drenica, Feronikeli, Prishtina dhe disa klube që nuk janë të rregullta në pagesa, por megjithatë pas një kohe ato merren. Ka shpresë që para përfundimit të kampionatit të shlyhen të gjithë borxhet. Klubet e kanë muajin 50 apo 60 mijë euro”.