Sport

Stadiumi “Adem Jashari” nuk rinovohet deri në vitin 2023, rritet edhe kostoja

Rinovimi i stadiumit olimpik “Adem Jashari” në Mitrovicë është dashur të përfundojë këtë vit, bazuar në kontratën e lidhur në mes të operatorit dhe financueses, Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS).

Por, kjo nuk ka gjasë të ndodhë. Madje dita kur stadiumi i madh në Mitrovicë do të jetë gati për të pranuar futbollistët, duket shumë, shumë e largët.

Përfundimi i punimeve në stadiumin buzë lumit Ibër është shtyrë edhe për dy vjet të tjera. 16 qershori i vitit 2023 është afati i ri për t’i përfunduar punët.

Për zgjatjen e periudhës kohore për përfundimin e projektit për rinovimin e stadiumit, në shtator të këtij viti, është nënshkruar anekskontratë, të cilën e ka siguruar KOHA. Renovimi i tretë i stadiumit “Adem Jashari” MKRS-së është paraparë t’i kushtojë rreth 13 milionë euro. Por kostoja pritet të rritet.

Pak gjëra janë bërë prej nisjes së punimeve në rinovimin e stadiumit olimpik në Mitrovicë. Madje punët e nisura në pranverën e vitit të kaluar nuk dihet nëse do të përfundojnë në qershor të vitit 2023, ashtu siç parashihet në kontratën e nënshkruar në shtator.

KOHA ka qëndruar të mërkurën në stadium, ku punohej fare pak. Aty janë parë pak punëtorë e shumë pak mjete të punës.

Në bazë të dinamikës aktuale, drejtori i Departamentit të Sportit të MKRS-së, Fikret Shatri, ka pak shpresë se punët mund të përfundojnë edhe në qershor të vitit 2023. Për këtë vit janë ndarë rreth 800 mijë euro për këtë projekt.

“Unë jam skeptik që në vitin 2023 do të përfundojnë punimet, por po besoj që në vitin 2022 kapacitetet do të rriten për ta zënë hapin, që të përfundojnë të gjitha situatat e projektit të stadiumit ‘Adem Jashari’. Por për t’u rritur volumi i punës, duhet edhe shteti në këtë rast, në bashkëpunim edhe me komunat dhe kompanitë e kontraktuara, të ulemi dhe të gjejmë një formë për të lehtësuar realizimin e këtyre projekteve. Për këto projekte nuk është interes kompania, komuna apo ministria, por është interes i përgjithshëm e në kuadër të interesit të përgjithshëm e vetmja rrugë është për të mos dështuar, por për t’u realizuar 100 % projekti”, ka thënë të enjten për KOHËN drejtori i Departamentit të Sportit, Fikret Shatri.

Kostoja e renovimit mund të rritet për shkak se materiali ndërtimor është shtrenjtuar nga viti 2019, kur është nënshkruar kontrata në mes të operatorit dhe MKRS-së. Kështu thotë Shatri.

“Kompania në fjalë dhe të tjerat janë goditur nga pandemia dhe çmimet e shumë pozicioneve që i kanë pasur në krye të projekteve, janë ngritur në mënyrë enorme. Kjo ka sjellë në një mënyrë kompanitë në humbje. Konsideroj që kjo është pika kyç e vonesës së projekteve dhe projektit në fjalë, ku kompanitë vërtetë kanë ardhur në një gjendje të vështirë. Çmimi i hekurit dhe metalit është dhjetëfishuar dhe praktikisht shumica e kompanive dhe kjo, në fjalë, e stadiumit ‘Adem Jashari’, po punojnë në humbje, pasi kur është nënshkruar kontrata, çmimi i hekurit dhe çelikut ka qenë shumë i ulët, ndërsa pas pandemisë janë rritur në mënyrë ekstreme. Por, edhe kompania në fjalë dhe të gjitha kompanitë janë të obliguara t’i respektojnë afatet dhe kontratat”, është shprehur Shatri, duke shtuar se duhet bërë një zgjidhje e shpejtë.

“Nëse shkon kulmi me çelik, del në humbje kompania, njëjtë edhe me beton dhe armaturë. Çmimi nuk mund të mbulojë koston momentale të punimeve në stadiumin ‘Adem Jashari’ dhe prandaj jam për t’u ulur dhe për të diskutuar, për të gjetur një zgjidhje që ta kemi një stadium çfarë i ka hije”, ka deklaruar Shatri.

Punimet kanë nisur nga hapësirat e brendshme të stadiumit për të vazhduar me ato të jashtmet. Stadiumi premtohet të jetë modern, me kapacitet më të vogël se që ka qenë, por që do të jetë plotësisht i mbuluar. Aktualisht e ka një tribunë të mbuluar.

Në vitin 2014, MKRS-ja i kishte investuar 740 mijë euro në këtë objekt. Por shpejt stadiumi u dëmtua. Në vitin 2017 u investuan një milion e gjysmë, prej të cilave 700 mijë euro për reflektorë i ndau Federata e Futbollit e Kosovës (FFK), që stadiumi t’i plotësoj kriteret e kategorisë së dytë, që klubet kosovare të organizojnë ndeshjet për garat evropiane. Edhe ai renovim shkoi dëm dhe askush nuk mori përgjegjësi për këtë. Tani nga Departamenti i Sportit propozohet ndarje e një buxheti tjetër, ndonëse edhe projekti aktual është shumë i kushtueshëm për kuletën e shtetit.

Aktualisht vetëm stadiumi “Fadil Vokrri” i plotëson kriteret për ndeshje të përfaqësueses dhe menaxhohet nga FFK-ja. “Fadil Vokrri” do të vazhdojë të jetë shumë i ngarkuar edhe gjatë vitit të ardhshëm.

Në stadiumin e qytetit në Prishtinë do të luhen të gjitha ndeshjet ndërkombëtare e po ashtu ndeshjet e klubit Prishtina e ndoshta edhe të ndonjë klubi tjetër.

“Nuk kemi në Kosovë stadium alternativ dhe për cilëndo arsye që nuk do të jetë i gatshëm stadiumi ‘Fadil Vokrri’, atëherë e kemi stadiumin e Shkodrës për shfrytëzim. E kemi pasur të Mitrovicës, por për shkak se ka pasur vonesë në punë, është shtyrë për vitin 2023. Por ne shpresojmë të përfundoj edhe më herët, pasi është e pamundur që stadiumi ‘Fadil Vokrri’ ta përballojë ngarkesën dhe do të detyrohemi që t’i reduktojmë shumë ndeshje. Fusha në ‘Fadil Vokrri’ është dëmtuar dhe jemi duke parë mundësinë e rinovimit apo ndërrimit të barit”, ka thënë kryetari i FFK-së, Agim Ademi të enjten për KOHËN.

Në FFK nuk janë të interesuar që ta menaxhojnë stadiumin “Adem Jashari”. Kryetari Ademi thotë se edhe për stadiumin “Fadil Vokrri” do të ishte më e lehtë financiarisht për FFK-në të paguajë shfrytëzimin sesa ta mirëmbajë.