Sport

Tek ekipi që bëri befasinë e mesjavës në futbollin evropian po zhvillohet edhe një shqiptar

I madh ishte gëzimi i futbollistëve, trajnerit e tifozëve të Muras të enjten mbrëma. Festës pas fitores së madhe të Muras kundër Tottenhamit në Ligën e Konferencës iu bashkua edhe Henrik Nerguti, futbollisti i vetëm shqiptar i skuadrës sllovene.

Nerguti është mesfushor premtues dhe thotë se sllovenët e vlerësojnë lart. Ai luan vazhdimisht me grupmoshën U19 të këtij klubi, ndërsa thirret edhe me skuadrën e parë. Por ende nuk ka fituar asnjë minutë me seniorët.

“Kundër Tottenhamit e kisha gjurin e vrarë dhe nuk isha në stol. Me ekipin e parë nuk luaj vetëm për shkakun se kam ende probleme me gjuhë dhe duhet ta mësoj sa më shpejt. Por në stol me ekipin e parë jam vazhdimisht. Fitorja ndaj Tottenhamit nuk kishte si të përjetohej ndryshe përveçse me gëzim të zjarrtë. E dinim se çfarë lojtarësh ka Tottenhami, Kane, Son, Lucas Moura, të gjithë janë fantastikë”, ka thënë Nerguti të premten për KOHËN.

“Pasi u mbyll takimi festa zgjati rreth një orë në dhomat e zhveshjes. Me tifozët kemi festuar rreth 15 minuta. Tifozët i kemi të zjarrtë”, shtoi Nerguti.

18-vjeçari iu bashkua skuadrës sllovene në korrik dhe luan në tri pozita, mesfushor qendror, mesfushor ofensiv, por edhe në qendrën e mbrojtjes.

“Në Shqipëri kam luajtur 11 vjet. E nisa karrierën te skuadra Ali Demi, ndërsa për shtatë vjet isha pjesë e Inter Tiranës. Tani me skuadrën NS Mura U19 kam 11 paraqitje dhe gjashtë asistime. Jam edhe pjesë e Kombëtares së Shqipërisë. Kam luajtur shtatë ndeshje me U19 dhe kam një gol të shënuar”, ka treguar Nerguti.

Nerguti golin e vetëm me Shqipërinë e ka shënuar kundër Serbisë.

“Ardhja në Slloveni është një prej momenteve më të mira në karrierë, pasi firmosa me kampionen e Sllovenisë. Edhe goli kundër Serbisë është shumë i veçantë”, thotë ai.

Nerguti është me origjinë nga Kukësi, ndërsa u lind në Tiranë. Mura është nga qyteti me vetëm 11 mijë banorë, Murska Sobota.

Mura u themelua në vitin 2012, ndërsa edicionin e kaluar ishte fitues i kampionatit slloven. Fitorja ndaj Tottenhamit bëri bujë. Buxheti i gjigantit anglez është qindra herë më i madh.