Sport

Zviceranët, ua dërguan irlandezëve 9.3 kg çokollatë, sepse e ndaluan Italinë

Përfaqësuesja e Italisë në futboll nuk arriti të kualifikohet direkt në Kampionatin Botëror “Katari 2022”. Në ndeshjen e fundit të kualifikimeve, Italia barazoi pa gola kundër Irlandës së Veriut, rezultat ky që i mundësojë Zvicrës ta sigurojë vendin e parë në grup dhe kualifikimin direkt në Botëror.

E zviceranët për këtë e kanë shpërblyer Irlandën e Veriut. Federata e Futbollit të Zvicrës ka publikuar një video interesante. Në të shihet përzgjedhësi i Zvicrës, Murat Yakin duke peshuar çokollata zvicerane, duke i paketuar ato dhe duke i dërguar për Përfaqësuesen e Irlandës së Veriut.

Kështu, ai e përmbushi premtimin e dhënë menjëherë pas takimit. Në total, bëhet fjalë për 9.3 kilogramë çokollatë që Zvicra e ka dërguar. Yakin kishte premtuar se do të dërgonte nga 100 gram çokollatë për secilën prej 93 minutave, në të cilat Irlanda e Veriut nuk pësoi gol kundër italianëve.