Sport

Vdiq snowborderi i njohur slloven që promovoi Kosovën në botë

Descriptive Text

Snowborderi i njohur slloven, Marko Grilc, ka vdekur në moshën 38-vjeçare në një aksident teksa përgatitej për të xhiruar një film në një resort turistik në Solden të Austrisë, kanë raportuar mediat austriake. E ylli slloven i snowboardit ka pasur lidhje të veçantë me Kosovën, të cilin vend e ka promovuar në gjithë botën me videot e tij.

Siç ka raportuar agjencia austriake e lajmeve APA, snowborderi ka goditur një shkëmb të mbuluar me borë. Sipas policisë, në momentin e aksidentit ai s’ka pasur helmetë. Pavarësisht ndihmës së parë të shpejtë, 38-vjeçari s’u ka mbijetuar lëndimeve.

Marko Grilc ishte një nga snowborderët më të njohur sllovenë të të gjitha kohërave. Pati fituar katër herë titullin e kampionit për juniorë, ndërsa ka mbledhur edhe shumë tituj prestigjiozë teksa u bë i famshëm në rrjetet sociale me videot e veçanta nga skijimi, transmeton KOHA.

“Kam ndier se e ardhmja është këtu dhe se përmes kanaleve (rrjete sociale) mund të prezantojmë jo vetëm surfimin, por edhe diçka tjetër që sjell inspirim nga jeta e përditshme”, ka thënë ai më herët gjatë vitit në një intervistë për “siol”.

Për disa vjet me radhë, Grilc ka promovuar edhe Kosovën dhe shtigjet e saj të skijimit. Ka postuar video të shumta në kanalin e tij, nga skijimi dhe atraksionet në Brezovicë e Gjeravicë.

Po ashtu, në uebfaqen e tij, ka qenë edhe paralajmërimi për kamp në Bjeshkët e Nemuna në Kosovë për një javë për periudhën 5 deri 12 shkurt 2022.

Pas vetes, Grlic ka lënë gruan e tij shtatzënë dhe dy fëmijë, të cilët po ashtu janë bërë të famshëm në rrjete sociale me videot e surfimit.