Sport

Trazirat e tifozëve po rrezikojnë të ardhmen e futbollit francez, thotë ministrja e Sportit

Trazirat e përsëritura të tifozëve në Ligue 1 të Francës po e rrezikojnë futbollin francez.

Ministrja e Sportit e Francës, Roxana Maracineanu, ka thënë se mbijetesa e futbollit francez është në pyetje.

Ndeshja e të dielës mes Lyonit e Marseilles është ndërprerë pasi që Dimitry Payet u godit nga një shishe që u hodh nga tribunat pas pesë minutave lojë.

Payet ishte qëlluar me shishe edhe më herët gjatë një ndeshje këtë stinor.

Në këtë stinor liga franceze është goditur nga trazirat e tifozëve. Ka pasur hedhje të fishekzjarrëve e po ashtu pushtime të fushës.

Të hënën, Liga Franceze e Futbollit (LFP) ka njoftuar se Lyoni do të luajë ndeshjen e radhës si vendase në Ligue 1 pa tifozë.

Lyoni e pret Reimsin më 1 dhjetor.

“Duhet të vijë te një marrëveshje, këto probleme duhet t’i zgjidhë liga. Të gjithë duhet të kuptojnë se është mbijetesa e futbollit francez në pyetje”, ka thënë Maracineanu për radion “France Info”.

Ministria e Brendshme e Francës dhe ajo e Sportit do të takohen për këtë çështje të martën.

Ndeshja e të dielës ishte pezulluar për më tepër se dy orë para se të vendosej përfundimisht që të mos vazhdohej.

“Është një botë ku milionat janë të përfshirë. Nuk mund të lejojmë që një transmetues, që ka blerë të drejtat, të vazhdojë me bisedë për më tepër se një orë, siç bënë, ndërsa nuk e dinim nëse do të vazhdohet ndeshja”, tha ministrja.