Sport

Pacquiao kërkon nga WBO rishikimin e “meçit dhe arbitrimin” ndaj Hornit

Ish-kampioni botëror i peshave të lehta Manny Pacquiao ka kërkuar nga WBO-ja që ta rishikojë “vendimin e padrejtë dhe referimin” në humbjen kontroverse ndaj Jeff Hornit, shkruan BBC.

Të dielën boksieri filipinas, Pacquiao humbi meçin me vendim unanim të gjyqtarëve ndaj 29 vjeçarit, Horn, i cili u shpall për herë të parë kampion bote, transmeton Koha.net.

“E dua boksin dhe nuk dua ta shoh atë duke vdekur për shkak të vendimeve të padrejta dhe referimit”, është shprehur 38 vjeçari.

Bordi i Lojërave dhe Argëtimit të Filipineve i ka dërguar një letër WBO-së që të bëjë një shqyrtim të plotë të vendimit të gjyqtarëve dhe arbitrimit, duke këmbëngulur se integriteti i boksit duhet të mbrohet.

“Tashmë e kam pranuar vendimin, por si një lider, dhe në të njëjtën kohë boksier, kam obligimin moral që ta respektoj sportivitetin, të vërtetën dhe drejtësinë në sytë e publikut. WBO duhet të ndërmarrë veprimet e duhura në letrën e dërguar nga Bordi , në mënyrë që të mos dëmtojë interesin e njerëzve për boks”, ka thënë ai.

Të tre gjyqtarët i dhanë më shumë pikë australianit, Horn, por shumë figura të boksit, përfshirë ish-kampion Lennox Lewis, kritikuan këtë vendim të gjyqtarëve duke thënë se Pacquiao meritoi fitoren.