Sport

Një ekip që jep shpresë për një vend të thyer

Descriptive Text

Anoush Dastgir mund të jetë njeriu më punëtor në futboll, por deri të shtunën e shkuar puna e tij kishte marrë disa goditje. Dastgir, përzgjedhësi i Përfaqësueses së Afganistanit, ishte ulur në një restorant bosh në hotelin ku ai dhe ekipi që drejton po përgatiteshin për një ndeshje miqësore kundër Indonezisë, në Turqi.

Ishte ora 23:00 dhe Dastgir po luftonte me atë që dukej si një ftohje e rëndë. Gjë që nuk ishte befasuese, duke qenë se ai tani kishte shumë punë për të bërë. Stërvitja e një ekipi kombëtar të futbollit është mjaft e vështirë kudo, por trajneri i Afganistanit ka pasur prej kohësh sfida unike. Është një nga vendet më të varfra në botë dhe një vend ku lufta civile dhe sundimi i talebanëve dikur e penguan ekipin kombëtar të luante ndeshje për gati dy dekada. Vendi konsiderohet aq i pasigurt saqë FIFA, organi qeverisës global i futbollit, i ka ndaluar prej kohësh ekipet e Afganistanit të luajnë në shtëpi.

Shumicën e kohës kjo nuk kishte rëndësi, Afganistani renditet i 152-ti në botë. Dhe kurrë nuk është kualifikuar për një turne të madh. Megjithatë, rrethanat u bënë edhe më të vështira gjatë verës kur talebanët u kthyen në Kabul, Qeveria afgane u shemb dhe presidenti i saj, Ashraf Ghani, për të mos përmendur dhjetëra mijëra bashkatdhetarë dhe gra, u largua nga vendi.

Dastgir humbi qasjen me një pjesë të ekipit të tij dhe gjysmën e stafit në këtë kaos. Dy anëtarë të stafit janë tani në kampet e refugjatëve në Katar. Dy të tjerë janë në Afganistan, të etur për t'u larguar. Lista e tij është e populluar pothuajse tërësisht nga refugjatë afganë, ose bij refugjatësh, të cilët kanë gjetur strehë në Holandë, Gjermani, SHBA, Suedi dhe më gjerë gjatë viteve, duke ikur nga konfliktet e ndryshme që e kanë përfshirë Afganistanin që nga vitet 1980-a. Por disa ende kalojnë kohë në Afganistan dhe këtë vit edhe kjo u bë një shqetësim. Një nga lojtarët më të rëndësishëm të Dastgirit, Noor Husin, i cili u largua për në Britani kur ishte gjashtë vjeç, ishte në qytetin verior Mazar-i-Sharif në korrik, ndërsa talebanët po afroheshin.

“Isha i tmerruar, të jem i sinqertë”, tha ai. “Për shkak se çdo ditë kishte lajme se ata po afroheshin më shumë, janë në periferi të qytetit. Dhe unë po mendoja se kjo nuk ishte e vërtetë. Por, tani mund të them se as që e kisha menduar se do të ndodhte një gjë e tillë”.

Husin arriti të shkonte në Kabul dhe të largohej nga vendi, por ai, si shumë nga shokët e tij të skuadrës, mendoi se ekipi kombëtar kishte përfunduar.

“Të gjithë menduan se ky është fundi, fundi i çdo gjëje”, pranoi ai.

Dastgir megjithatë ishte i vendosur ta mbante gjallë ekipin. I vendosur që të vazhdonte të shërbente, tha ai, si një simbol i rrallë uniteti në një vend që shpesh ndahet sipas linjave etnike ose gjuhësore. Kështu që disa javë më parë ai mori telefonin dhe e organizoi një ndeshje miqësore, e para që kur talebanët morën drejtimin, kundër Indonezisë. Kjo ishte pjesa e lehtë.

Më pas atij iu desh të gjente një vend për ndeshjen, të organizonte fluturime dhe viza për lojtarët dhe të merrte teste të koronavirusit për të gjithë. Me bllokimin e llogarisë bankare të Federatës së Futbollit të Afganistanit, Dastgir i kërkoi FIFA-s ndihmë për financimin e udhëtimit, që edhe e realizoi. Pa ekonom, Dastgir gjithashtu duhej të dërgonte vetë 115 kilogramë pajisje stërvitore dhe më pas ta bindte kunatin e tij që ta ndihmonte t’i lante. Ai bleu topa futbolli, organizoi gjyqtarët, pa një ekip komunikimi, promovoi ndeshjen në llogaritë e tij private në mediat sociale. Ai madje negocioi një kontratë transmetimi për t'u siguruar që numër maksimal i njerëzve në Afganistan të mund ta shikonin ndeshjen. Dhe më pas, me gjithë atë që u bë, ai ende duhej të gjente kohë për ta stërvitur ekipin. Por, me afrimin e mesnatës në restorantin e hotelit, të shtunën, kishte ende një çështje të rëndësishme për ta zgjidhur: Cilin flamur do ta valonte ekipi?

Image

Një lider i ri

Në moshën 31-vjeçare, Dastgir është një nga trajnerët më të rinj në futbollin botëror. I lindur në Kabul, ai i shpëtoi luftës civile të vendit me familjen e tij, menjëherë pasi forcat sovjetike u larguan nga Afganistani në vitin 1989. Ai ishte vetëm disa muajsh dhe u rrit në Pakistan dhe më pas në Indi përpara se të vendosej në Holandë. Në Evropë ai mësoi gjuhën holandeze dhe u zbulua nga një klub i këtij vendi, NEC Nijmegeni. Ai u thirr përfundimisht për Përfaqësuesen e Afganistanit dhe u shfaq në disa ndeshje përpara se një dëmtim në gju t'i jepte fund karrierës së tij si futbollist aktiv.

“Trajnerët e mi më thanë: ‘Duhet të fillosh ta stërvitesh dikë’, sepse si lojtar kam qenë një lloj lideri i ekipit”, tha ai.

Mundësia e tij e parë për të udhëhequr Afganistanin erdhi në vitin 2016, kur një trajner i huaj nuk u paraqit në një lojë për shkak të një mosmarrëveshjeje për kontratën.

“Lojtarët thanë: ‘Ne mendojmë se Anoush mund ta përballojë atë”, kujton Dastgir.

Ai e humbi atë ndeshje, por skuadra kishte luajtur mirë. Herën tjetër që u hap pozita, në vitin 2018, atij iu dha puna. Deri atëherë ai ishte në “gjueti” për lojtarët afganë. Shumë u zbuluan mes diasporës së madhe afgane, refugjatëve dhe fëmijëve të tyre të shpërndarë nëpër botë. Kur u organizua një ndeshje kundër Palestinës në Kabul në vitin 2018, ndeshja e parë ndërkombëtare që luhej në Afganistan në vite, Dastgir thirri shumë nga zbulimet e tij.

“Doja t'i kisha këta lojtarë në Afganistan për të ndier vendin, për të parë njerëzit, sepse shumica e tyre kanë lindur jashtë vendit”, tha ai.

Edhe tani vendi i ekipit si një institucion i dukshëm multikulturor shfaqet në seancat stërvitore. Udhëzimet Dagstir i jepte në gjuhën holandeze. Inkurajimi u ofrua në gjermanisht dhe anglisht. Ndonjëherë Dastgir ndërronte gjuhën për disa fjalë, pasi donte që futbollistët ta kuptonin më lehtë.

“Kapiteni im i parë është Tajiku”, tha ai. “Kapiteni im i dytë është Pashtun. Ndërsa i treti është Hazara”. Dy nga lojtarët e tij, vëllezërit Adam dhe David Najem, kanë lindur në New Jersey, në SHBA. Megjithatë, me afrimin e ndeshjes, pyetjet e flamurit dhe himnit mbetën të pazgjidhura. Ky nuk ishte një vendim për t'u marrë lehtë. Flamuri i bardhë i talebanëve, me “Shehadetin”, deklarata e besimit mysliman, të shtypur në të, ka zëvendësuar trengjyrëshin, jeshile, të kuqe dhe të zezë, mbi pallatin presidencial të Afganistanit.

Dhe meqë talebanët kanë vendosur një ndalim të gjerë të muzikës, himni kombëtar në fakt është nxjerrë jashtë ligjit. Dastgir e dinte se intonimi i himnit dhe valëvitja e flamurit të vjetër do të ishte e diskutueshme; skuadra e kriketit u qortua nga një udhëheqës taleban, pasi e bëri këtë në Kupën e Botës. Ai e dinte se zgjedhja e tij mund t'i kushtonte me punën ose edhe më keq.

“Unë nuk kam frikë të më pushojnë”, tha Dastgir. “Unë jam kryetrajneri i ekipit kombëtar prej 37 milionë afganësh. Unë nuk jam trajner i ekipit kombëtar të regjimit taleban. Nuk e kemi bërë kurrë për Qeverinë. Ne këtë ndeshje e bëmë atë për njerëzit”.

Gëzimi larg shtëpisë

Askush në kampin e Afganistanit nuk ishte i sigurt nëse ndonjë mbështetës do të vinte në të vërtetë për t'i parë ata duke luajtur në Belek, një qytet bregdetar pranë Antalisë në Turqi. Zyrtarët e stadiumit të shqetësuar për kufizimet e koronavirusit u qetësuan kur Dastgir pranoi të paguante sigurimin nga xhepi i tij. Ishte gjithashtu çështja nëse policia turke mund të ishte një pengesë. Të paktën 300.000 refugjatë afganë kanë gjetur strehim në Turqi gjatë viteve të fundit dhe shumë prej tyre janë pa dokumente. Derisa fillimi i ndeshjes po afrohej, qindra tifozë u rreshtuan jashtë portës së stadiumit.

“Dua të tregoj se jam afgane”, tha Mursal, një studente 18-vjeçare e mbështjellë me një flamur të madh afgan, por mjaft e kujdesshme për të refuzuar të japë mbiemrin e saj.

Ajo kishte ikur në Turqi katër vjet më parë, pasi babai i saj u vra në Afganistan. Kishte gjetur pak mundësi për të valëvitur flamurin afgan që kur mbërriti.

“Është flamuri ynë. Nuk ka flamur tjetër. Vetëm ky flamur dhe askush nuk mund ta ndryshojë atë”, insistoi ajo.

Gjashtëqind mbështetës, kufiri për të cilin kishin rënë dakord me zyrtarët e stadiumit, u shfaqën shpejt, duke mbushur tribunën e gjatë të stadiumit. Pak minuta para fillimit skuadrat u rreshtuan në mesfushë. Përpara tyre, dy nga zëvendësuesit e Afganistanit shpalosën një flamur të madh jeshil, kuq e zi, atë që Dastgir e kishte mbajtur me vete në Belek. Himni u intonua, një moment që iu transmetua miliona afganëve të kthyer në shtëpi. Askush nuk ishte aty për të bërë foton tradicionale para ndeshjes. Fotografi zyrtar i skuadrës u arratis në Portugali muaj më parë. Loja ishte e furishme, e ndjekur nga zhurma e vazhdueshme e tifozëve afganë.

Dastgir, i veshur i tëri në të zeza, jepte me qetësi udhëzime taktike. Në fund të pjesës së dytë, ai thirri Omid Popalzayn, një mesfushor i rritur në Holandë, i parë për herë të fundit duke luajtur në kategorinë e katërt të Polonisë. Në minutën e 85-të, pak çaste pasi hyri në lojë si zëvendësues, Popalzay shënoi. Pak minuta më vonë u dëgjua edhe fishkëllima e fundit.

Afganistani fitoi dhe tifozët shpërthyen në gëzim. Një tifoz u hodh 12 metra poshtë në pistën e vrapimit që rrethon fushën me shpresën për të bërë një “selfie”, por ai u kap nga policia dhe u kthye prapa. Një lojtar, Norlla Amiri, u ngjit mbi shpatullat e një shoku të skuadrës në mënyrë që ta merrte djalin e tij nga tribunat për të festuar së bashku. Tifozët e tjerë i hodhën celularët te lojtarët, duke kërkuar fotografi. Shumë kërkuan foto me mesfushorin Faysal Shayesteh, 30-vjeçarin që ka pasur një karrierë profesioniste qëkur u transferua në Holandë si fëmijë. Pothuajse të gjithë fansat afganë e njihnin Shayestehun për shkak të tatuazheve të tij, duke përfshirë atë në gjoks, që tregon horizontin e Kabulit nën një avion luftarak dhe një helikopter, secili duke bombarduar qytetin me zemra të kuqe. Mbi gjoksin e tij të majtë ishin dy koordinata GPS: E para është për Hengelo, qyteti në Holandën lindore ku ai u rrit. Tjetri është Kabuli, ku ka lindur.

“Nëse flas për këtë, emocionohem”, tha ai, duke mbajtur lotët. “Sepse e di se çfarë po kalojnë njerëzit në Afganistan. Dhe e di që kjo është e vetmja gjë që i bën ata të lumtur, duke fituar një ndeshje me kombëtaren tonë. Kjo është e vetmja gjë që ata kanë, ndaj jam shumë i lumtur”.

Dastgir i shikoi të gjitha duke u shmangur nga mbrapa, duke filmuar disa prej tyre me telefonin e tij për t'i postuar në llogarinë e tij në “Instagram”. Askush nuk kishte bërë më shumë se ai për të realizuar këtë moment.