Sport

Një ish-kampione evropiane me Gjermaninë për mesfushën e Kosovës

Përfaqësuesja e Kosovës në futboll (vajzat), nuk ka luajtur ende në ndonjë ngjarje të madhe. Por, së shpejti në përbërje do ta ketë një lojtare që ka përvojën e ngjarjeve më të mëdha të futbollit. Bëhet fjalë për Gentiana Fetajn, mesfushoren me të kaluar të suksesshme te Gjermania.

Në të vërtetë Gentiana është paraqitur për grupmoshat e reja të Gjermanisë, por me to ka luajtur si në Evropian ashtu edhe në Botëror. Ishte në Botërorin U-17, në vitin 2018 në Uruguai. Një vit më vonë luajti në Evropianin U-17, të mbajtur në Bullgari. Madje, Gentiana Fetaj me Gjermaninë e fitoi atë Evropian.

Fetaj aktualisht është pjesë e skuadrës së Bundesligës, Carl Zeiss Jena. Dhe ka vendosur që në nivelin senior ta përfaqësojë Kosovën. Mesfushorja 19-vjeçare pritet të jetë përforcim i madh për përfaqësuesen e Kosovës. Pak lojtare në ekipin e selektores Afërdita Fazlija luajnë në nivel të lartë evropian.

Fazlija ka treguar se rreth një vit ka biseduar me Gentianën dhe prindërit e saj për mundësinë që ajo të luajë për Kosovën. FFK-ja tri ditë më parë njoftoi se Fetaj do të jetë pjesë e Kosovës, por për debutimin e saj duhet të priten kompletimi i dokumentacionit dhe marrja e lejes nga FIFA.

“Kam menduar që të luaj për Kosovën për një kohë të gjatë. Dhe jam shumë e gëzuar që do të luaj për vendin tim. Jam rritur me kulturën shqipe dhe dua të jap kontribut për Kosovën”, ka thënë Gentiana Fetaj për KOHËN, të enjten.

Ajo thotë se e njeh shumë mirë Kosovën. I pëlqejnë atmosfera dhe mentaliteti në Kosovë.

“Kosova është shumë e bukur”, thotë mesfushorja.

Ajo ka nisur karrierën te Bochumi. Më pas ka luajtur për ekipin Guetersloh, ndërsa prej vitit 2019 e deri në verë të këtij viti ishte te Arminia Bielefeldi. Në korrik firmosi me Carl Zeiss Jenan, që u promovua në Bundesligë. Tashmë i ka disa paraqitje në Bundesligë. Sipas të dhënave zyrtare të Federatës gjermane, Fetaj për U-15 të Gjermanisë i ka tri ndeshje. Shtatë ndeshje i ka për U-16 të Gjermanisë e nëntë për U-17. Për përfaqësuesen U-19 ka luajtur katër herë.

“Ka kaluar një vit prej se Kosova është interesuar për mua. Por unë është dashur ta kryej shkollën dhe ta ndryshojë klubin. Edhe pasaporta ime nuk do të ishte gati”, ka shtuar Fetaj. Ka mbetur te FFK-ja që të rregullojë dokumentacionin për mesfushoren, duke përfshirë edhe pasaportën, që është kusht për të luajtur.

Vendimi për të luajtur për Kosovën ishte i lehtë për Gentianën.

“Po, ishte vendim i lehtë. Jam shumë e lumtur për këtë vendim dhe mirënjohëse që e kam mundësinë”, thotë Fetaj, që po shikon para për sfidat që e presin me Kosovën.

“Ishte një përvojë e bukur të luaj për Gjermaninë. Por tash jam e përqendruar në detyrën time të re me Kosovën. Paraqitja me Gjermaninë më ka ndihmuar shumë për karrierë. Kam mësuar shumë nga përvoja me Gjermaninë. Aktualisht jam në Bundesligë dhe deri më tani i kam shtatë ndeshje. Por jam ende e re dhe po mësoj ende. Qëllimin e kam të përmirësoj veten dhe të ndihmoj ekipin që të mbetet në elitën gjermane. Një tjetër qëllim i imi për të ardhmen është që një dit të luaj në Ligën e Kampionëve”, ka treguar lojtarja e re e Kosovës.

Fetaj në të kaluarën ka qenë edhe kapitene në ekipet e moshave të Gjermanisë. Prej moshës 13-vjeçare është zhvilluar në sistemin gjerman, si pjesë e kampit të Federatës gjermane. Ajo më 22 nëntor vjen në Kosovë që të bashkohet me përfaqësuese. Fillimisht do të ushtrojë dhe do të përshtatet me grupin.

Me Jenan, Gentiana ka kontratë dyvjeçare. Bëhet fjalë për kontratë profesionale. Ka në plan që të studiojë psikologjinë, ndërsa momentalisht është ende në shkollë të mesme. Familja e saj është nga Strellci i Deçanit.

Por çka mund të pret Kosova prej Gentianës?

“Një vajzë shumë luftarake, të këndshme dhe të dobishme për ekipin. Një vajzë që është shumë e lumtur të japë gjithçka për vendin e saj”, është përgjigjja e Gentiana Fetajt.