Sport

Stadiumit “Fadil Vokrri” mund t’i ndërrohet bari që është dëmtuar shumë

Një ekspert i menaxhimit të fushave të futbollit në muajin shtator e pati inspektuar fushën e stadiumit “Fadil Vokrri” në Prishtinë. E pas inspektimit, ai pati konstatuar se fusha është mjaft e dëmtuar dhe se ajo duhet të riparohet patjetër. Por në Federatën e Futbollit të Kosovës (FFK) nuk e përjashtojnë mundësinë që bari i stadiumit në Prishtinë të ndërrohet tërësisht në vitin tjetër. Kryetari i FFK-së, Agim Ademi, e po ashtu edhe drejtori i stadiumit, Benet Rezniqi, pranojnë se në fushë ka nevojë për një intervenim të shpejtë.

“Do të ketë intervenim në fushën e stadiumit ‘Fadil Vokrri’ posa të përfundojë stinori vjeshtor i Superligës. Do të veprojmë ashtu siç do të na thonë ekspertët. Besoj se nuk përjashtohet mundësia që të ndërrohet komplet bari”, ka thënë Ademi të mërkurën për KOHËN.

Në fushën e stadiumit “Fadil Vokrri” luajnë Përfaqësuesja A e Kosovës dhe ajo U21, e po ashtu edhe Përfaqësuesja e femrave. Megjithatë, krahas ndeshjeve ndërkombëtare, stadiumi është i ngarkuar edhe me ndeshje të garave vendore.

Në të luhen edhe të gjitha ndeshjet në kuadër të garave evropiane të skuadrave të vendit. Në baza të rregullta luan Prishtina, ndërsa stadiumi së fundi është shfrytëzuar edhe nga skuadra e Llapit, e po ashtu edhe nga Drita për ndeshje kampionale këtë sezon. Gjithë kjo ngarkesë e ka dëmtuar goxha shumë fushën e stadiumit. Aktualisht stadiumi i Prishtinës është i vetmi në vend që i plotëson kriteret për zhvillimin e ndeshjeve ndërkombëtare. Rinovimi i stadiumit “Fadil Vokrri” ka përfunduar tre vjet më parë, ndërsa ka plane që të ketë sërish punime në të. Planifikohet shtimi i kapacitetit të tribunave. Por ende nuk ka asgjë konkrete, ndonëse në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS) patën vlerësuar se më nuk do të ketë ndarje të mjeteve për stadiumin “Fadil Vokrri”. MKRS-ja ka qenë investitore e rinovimit të stadiumit “Fadil Vokrri”. MKRS ka ndarë buxhet edhe për rinovimin e stadiumit “Adem Jashari” në Mitrovicë. Drejtori i stadiumit “Fadil Vokrri”, Benet Rezniqi, ka theksuar se rinovimi i fushës mund të marrë më shumë kohë sesa ndërrimi i barit.

“Duhet të presim përfundimin e stinorit vjeshtor të Superligës tonë. Në bashkëpunim me Federatën e Futbollit duhet të presim ekspertin anglez se çfarë do të na sugjerojë, pasi ka mbetur të na dërgojë një raport mbi gjendjen e fushës. Do të varet se çfarë do të na thotë ai. Ndoshta, me bari hibrid mund të niset menjëherë dhe do të ishte më e përshtatshme për ne. Rinovimi minimum 2-3 muaj të merr kohë. Ndoshta më shpejt bëhet ndërrimi sesa riparimi i fushës”, ka thënë Rezniqi për KOHËN. “Por, për fund duhet ta presim raportin e ekspertit dhe të shikojmë se si të veprojmë. Riparimi është i nevojshëm, por shteti duhet të bëjë gati edhe një stadium tjetër, pasi ky është goxha i ngarkuar. Gjendja e përgjithshme e stadiumit është e mirë”.

Në rast se ka një riparim apo ndërrim të fushës, e që është e nevojshme, atëherë skuadra e Prishtinës rrezikon që të mos luajë në stinorin pranveror të Superligës për një periudhë në stadiumin “Fadil Vokrri”.