Sport

Alves thotë se te Barcelona është kthyer për një vend titullari

Mbrojtësi i krahut të djathtë, Dani Alves, tha se është rikthyer te Barcelona për të luftuar për një vend titulluari dhe jo për të qëndruar në stol, pasi 38-vjeçari iu prezantua pothuajse 10.000 tifozëve në stadiumin “Camp Nou” të mërkurën.

Një Alves i buzëqeshur u përkul, tundi duart dhe puthi stemën e klubit para tifozëve të adhuruar të Barcelonës që brohoritnin emrin e tij, përpara se të nënshkruante kontratën në fushë së bashku me presidentin e klubit Joan Laportan. Në konferencën për shtyp pak më vonë, Laporta madje mbajti të hapur mundësinë e rikthimit të më shumë ish-yjeve të Barcelonës pas ardhjes së Xavi Hernandezit në postin e trajnerit, në përgjigje të një pyetjeje për të ardhmen e Lionel Messit dhe Andres Iniestas.

Alves është rikthyer pesë vjet pas largimit nga Barcelona, ​​pasi ka fituar gjashtë tituj të La Ligës dhe tre trofe të Ligës së Kampionëve. Në fakt, ai me fanellën e Barcelonës prej vitit 2006 deri në vitin 2018 fitoi në total 25 trofe. Ai luajti në të njëjtin ekip me Xavi Hernandezin, i cili javë më parë ka bërë rikthimin e tij të bujshëm si trajner. Te Barcelona, Alves ka zgjedhur fanellën e famshme me numrin tetë, të cilën e ka bartur Iniesta.

“Një gjë që nuk ndryshon tek unë është dëshira për të luftuar. Unë kam pak më pak flokë tani, por kjo dëshirë mbetet e njëjtë. Unë e di se çfarë është ky klub. Unë nuk jam këtu për të qëndruar në stol ose për të shijuar jetën në Barcelonë, unë jam këtu për të luftuar për vendin tim dhe për të luajtur rregullisht”, insistoi Alves.

Alves iu bashkua Barcelonës si lojtar i lirë, pasi muaj më parë e shkëputi kontratën me Sao Paulon. Dhe, te Barcelona thuhet se ka pranuar pagën më të ulët në ekip vetëm për t’u kthyer dhe që ta ndihmojë klubin në këtë kohë të vështirë. Ai do të jetë në dispozicion të trajnerit Xavi për të luajtur prej janarit, ndërsa kontratën e ka firmosur deri në muajin qershor të vitit të ardhshëm.

“Po bëja gjithçka që mundja me presidentin, duke këmbëngulur se doja të kthehesha dhe se mund të ndihmoja”, tha Alves. "Në fund mora një telefonatë nga Xavi duke thënë se ai do të mbështetej në mua nëse do të doja të vija. Pjesa tjetër ishte shumë e lehtë”.

Laporta tha se trajneri Xavi ishte në favor të kthimit të Alves-it.

“I thashë Xavit se Dani ishte në dispozicion dhe dëshiron të na ndihmojë”, tha Laporta. “Xavi më tha se Dani është një nga ata njerëz që i duhen në ekipin e tij”.

Laporta u pyet gjithashtu për mundësinë e rikthimit të legjendave të tjera të Barcelonës si Messi, i cili është te Paris Saint-Germaini dhe Iniesta, i cili po luan për Vissel Kobe në Japoni. Messi para fillimit të këtij edicioni u largua si lojtar i lirë nga Barcelona për të firmosur deri në vitin 2023 me PSG-në.

“Nuk e përjashtoj mundësinë që ata të kthehen”, tha Laporta. “Ata janë ikona që e kanë bërë klubin të madh, Leo dhe Iniesta janë dy lojtarë të shkëlqyer. Nuk mund ta parashikoj të ardhmen dhe ata kanë kontrata me klube të tjera, të cilat ne duhet t'i respektojmë, por nuk i dihet kurrë”.

Alves e hodhi poshtë sugjerimin që Messi mund të dëshironte të ishte pjesë e ribashkimit.

“Nëse më jepni nja dy orë, do të shkoj ta gjej”, tha Alves duke qeshur.

Barcelona është një ekip krejtësisht tjetër nga ai që e kishte lënë Alves kur u largua. Pas largimit nga “Camp Nou”, Alves e vazhdoi karrierën te Juventusi e PSG-ja, përpara se të kthehej në Brazil. Tani Barcelona është në pozitën e nëntë në La Liga dhe po përballet me borxhe prej më shumë se një miliard eurosh. Shefi ekzekutiv i klubit, Mateu Alemany, pranoi se Barça nuk ka gjasa të jetë në gjendje të bëjë transferimi në janar. Sipas tij, Barcelona kryesisht do të fokusohet në huazime.

“Realiteti është se ne mund të regjistrojmë Xavin dhe stafin e tij stërvitor, por nuk na mbetet asgjë”, tha Alemany. “Në janar do të shohim nëse do të ketë më shumë largime dhe nëse kjo përshtatet me nevojat e trajnerit”.