Sport

Ibrakoviq: Në futbollin e Kosovës ka shumë potencial, tani nis rritja e madhe

Descriptive Text

Boshnjaku Abdullah Ibrakoviq të hënën e nis punën e trajnerit te skuadra e futbollit Prishtina. Ibrakoviq e zëvendëson Zekirija Ramadanin, me të cilin klubi kampion u nda të premten. Menjëherë në fundjavë Prishtina arriti marrëveshje me Ibrakoviqin, 51-vjeçarin, që së fundi ka punuar në Austri.

Ibrakoviq e vlerëson punën që Ramadani e ka bërë me Prishtinën, ndërsa vlerëson shumë edhe potencialin që e ka Prishtina e futbolli kosovar në përgjithësi. Ai është i vetëdijshëm se prej Prishtinës vazhdimisht pritet sukses maksimal.

Të dielën në një intervistë për KOHËN, Ibrakoviq ka thënë se nuk ka pasur mëdyshje për të pranuar ofertën e Prishtinës.

“Çdo gjë ndodhi shumë shpejt. Negociatat u zhvilluan normalisht dhe marrëveshja u arrit shpejt. Projekti i Prishtinës më ka bërë për vete. Futbolli i Kosovës në përgjithësi po avancon. Liga është duke u zhvilluar dhe duke u forcuar hovshëm. Ka shumë lojtarë cilësorë tashmë në kampionatin e Kosovës”, ka thënë Ibrakoviq.

Ai vlerëson se mund të japë kontribut për zhvillimin e mëtejmë të Prishtinës.

“Shoh potencial të madh si te Prishtina, ashtu edhe te futbolli kosovar në përgjithësi. Kosova vetëm tash ka nisur të zhvillohet. Deri më tani ka qenë një fazë, të themi, e stabilizimit. Ndoshta pritjet atje kanë qenë për ecje e zhvillim më të shpejtë. Por duhet ta kuptojmë që futbolli është proces. Herë zhvillohet më shpejt e herë më ngadalë. Por është proces “.

Ibrakoviq deri të dielën ishte trajner i Kapfenbergut në kategorinë e dytë austriake. Vetëm pasi ka arritur marrëveshje me Prishtinën, Ibrakoviq ka zyrtarizuar ndarjen me Kapfenbergun. Kontrata e tij me klubin austriak ishte valide deri në vitin 2023.

“Me përvojën që kam mendoj se do ta japë kontributin për të pasur një kontinuitet te Prishtina, një kontinuitet të punës së mirë që ka bërë kolegu im. E di se prej Prishtinës vazhdimisht priten suksese. Ka kuadër, ka potencial. Por terreni është matësi më i mirë”, ka theksuar Ibrakoviq. Ai vlerëson edhe tifozët e Prishtinës, ndërsa thekson se është i bindur që ata do të binden për lojën me angazhim maksimal të skuadrës.

“Por angazhimi maksimal nuk mjafton. Duhet të luajmë mençur po ashtu për të pasur sukses. Sa u takon synimeve, Prishtina gjithnjë e synon maksimumin. Këtë e di. Rezultatet momentalisht nuk janë ato që synohen, por me punë maksimale besojmë se do të kthehemi në rrugën e duhur. E di që edhe skuadrat tjera janë cilësore, por cilësi ka edhe Prishtina”, ka theksuar Ibrakoviq.

Si lojtar, Ibrakoviq ka luajtur kryesisht në Bosnjë-Hercegovinë e Austri. Karrierën si trajner e ka nisur te Radniçki Lukavac në Bosnjë. Ka punuar edhe te Sloboda Tuzla, Radniçki Lukovac e Teshanj. Prej vitit 2008 e deri në vitin 2011 ishte asistent te U21 e Malit të Zi. Më pas punoi në skuadra më të mëdha si Velezh Mostar, Çelik Zenica e Sloboda Tuzla. Prej vitit 2013 deri në vitin 2015 ishte drejtor sportiv te Sarajeva, ndërsa në vitin 2016 e nisi punën te Kapfenbergu.

Kishte një periudhë te Hetteni në Arabi Saudite, para se të kthehej te Kapfenbergu vitin e kaluar.

“Është një klub që fokusohet në zhvillimin e lojtarëve të rinj. Kampionatin e kaluar kanë dalë 12 lojtarë, që tash luajnë në nivel të mirë. Edhe këtë edicion, me një gjeneratë të re, kemi pasur rezultate të mira. Ndërsa zhvillimi i lojtarëve ishte i duhur. Edhe nga Kosova duhet të dalin më shumë lojtarë për në nivele evropiane. E di se ka potencial, ka talente dhe do të punojmë që ata të jenë të gatshëm për liga më të mëdha”, ka theksuar Abdullah Ibrakoviq.