Sport

Shaqiri shpreson ta udhëheqë Zvicrën drejt një fitoreje të madhe ndaj Italisë

Descriptive Text

Trajneri i Përfaqësueses së Zvicrës, Murat Yakin, ka planin se si t’i bëjë ballë kampiones së Evropës, Italisë. Ai premton se Zvicra do të tregojë një lojë të mirë në Romë. Edhe Xherdan Shaqiri po e pret me padurim ndeshjen që Zvicra e luan kundër Italisë të premten mbrëma në Romë (20:45).

Ndeshja është vendimtare për kualifikim në Botërorin e vitit të ardhshëm. Fituesi i ndeshjes në Romë me shumë mundësi do të kualifikohet direkt në Botëror, derisa skuadra humbëse shkon në plejof.

Italia e Zvicra i kanë nga 14 pikë në grupin C të kualifikimeve evropiane. Më 15 nëntor, në xhiron e fundit, Italia është mysafire e Irlandës së Veriut, ndërsa Zvicra e pret Bullgarinë.

Zvicra është përballur në verë me Italinë në Romë në kuadër të fazës së grupeve të Evropianit. Italia fitoi 3:0.

Shaqiri, që pritet të jetë kapiten në mungesë të Granit Xhakës, nuk dëshiron të mendojë për atë ndeshje në “Stadio Olimpico”.

“Sigurisht që nuk po e harrojmë atë lojë. Nuk kishim një ditë të mirë. Por, erdha këtu me një ndjenjë të mirë, më pozitive se që e kishim kur luajtëm në ‘Euro 2020’. Ne duam të kompensojmë humbjen 3:0”, ka thënë Shaqiri në konferencën për media para ndeshjes, të enjten.

Ai insiston se ndaj Italisë është ndeshja e vitit për Zvicrën.

“Kjo është ndeshja e vitit për ne dhe do të ishte sensacion të fitonim. Italia është pa dyshim favorite, ka cilësi të jashtëzakonshme dhe ne presim që të jetë një ndeshje e shkëlqyer. Është garë e re, trajner i ri dhe ne e shikojmë të ardhmen me optimizëm. Duam të tregojmë cilësi dhe të reagojmë për ndeshjen e korrikut. Nuk ka asgjë më të mirë se të luash një lojë kaq të madhe me kënaqësi dhe gëzim. Italia është ekip i madh. Por, nëse të gjithë luajmë së bashku përtej kufijve tanë, mund të arrijmë të marrim diçka të bukur nga Italia”, ka theksuar Shaqiri.

Futbollisti i skuadrës franceze Lyon, Shaqiri është pyetur edhe për mungesat e shumta. Zvicrës shkaku i lëndimit i mungojnë kapiteni Xhaka, Haris Seferoviq, Steven Zuber, Nico Elvedi, Gregor Kobel, Christian Fassnacht dhe Breel Embolo.

“Ky është futbolli. Lëndimet janë pjesë e tij, ne duhet të jetojmë me këtë. Ekziston edhe një mundësi që lojtarët e tjerë të tregojnë veten. Italia ka të njëjtin problem si ne. Duhet ta shfrytëzojmë sa më shumë dhe të ndihmojmë lojtarët e rinj. Duhet të bëjmë më të mirën në këto rrethana. Objektivi është të mposhtim Italinë, kështu që ne erdhëm këtu jo për të qëndruar në mbrojtje, por për të sulmuar kundërshtarët tanë me taktikë të përgatitur mirë”, është shprehur Shaqiri.

Selektori i Zvicrës, Murat Yakin, ka thënë se ka gati ekipin për t’i bërë ballë Italisë.

“Unë tashmë e kam në kokë formacionin. Por, nuk do ta zbuloj derisa të shkojmë në stadium ditën e ndeshjes. Ne mund të luajmë lirshëm, ne e kemi vendin e dytë të sigurt. Ne duhet të luajmë një lojë të mirë dhe të krijojmë rastet tona për gol. Duhet të veprojmë dhe të kërkojmë mundësitë tona. Nëse kufizohemi në mbrojtje, nuk do të funksionojë kundër Italisë”, ka thënë Yakin.