Sport

Bardhi: Duhet të luajmë si skuadër

Mesfushori i përfaqësueses së Maqedonisë Veriore, Enis Bardhi, ka thënë se duhet lojë ekipore dhe luftë e bashkuar para duelit me Armeninë.

Maqedonia e Veriut luan me Armeninë të enjten në orën 18:00 në kuadër të kualifikimeve për Kampionatin Botëror të Katarit në vitin e ardhshëm.

“Duhet të jemi të përqendruar në punën tonë, lojën tonë. Detajet do ta vendosin fituesin. Është ndeshje shumë e rëndësishme si për ne ashtu edhe për kundërshtarin. Duhet të luajmë më të bashkuar se kurrë dhe të fitojmë. Duhet të japim maksimumin për të fituar në të dyja ndeshjet dhe të shpresojmë për vendin e dytë”, tha në konferencën për shtyp Bardhi, futbollist i Levantes në La Ligën e Spanjës.

Për Bardhin pati raportime gjatë ditës së mërkurë se Leeds Unitedi pritet t’i nis bisedimet për t’i siguruar shërbimet e tij.

Bardhi ka realizuar dy gola në shtatë paraqitje në La Liga në këtë edicion. Maqedonia e Veriut është në Grupin J dhe pozicionohet në vendin e tretë me 12 pikë, aq sa ka edhe Armenia.

Rumania është e dyta me një pikë më shumë. Prinë Gjermania me 21 pikë që e ka siguruar pjesëmarrjen në “Katari 2022”. Më 14 nëntor luan kundër Islandës në Shkup.