Sport

Veseli e Laçi premtojnë maksimumin ndaj Anglisë

Te Përfaqësuesja e Shqipërisë ka optimizëm para dy ndeshjeve të fundit eliminatore për Kampionatin Botëror “Katari 2022”.

Fokusi i Shqipërisë është te përballja e parë, ajo ndaj Anglisë. Vetëm pas ndeshjes me Anglinë kuqezinjtë do të mendojnë për Andorrën, me të cilën do të luajnë javën e ardhshme.

Dueli mes Anglisë dhe Shqipërisë zhvillohet të premten në stadiumin “Wembley” në Londër dhe i takon Grupit I kualifikues. Anglia i prinë grupit me 20 pikë pas tetë ndeshjeve, duke lënë pas Poloninë (17) dhe Shqipërinë (15). Përkundër që Shqipëria gati i ka humbur gjasat për të siguruar vendin e dytë në grup që garanton ndeshjen e plejofit, nga ekipi i Edoardo Rejas kanë paralajmëruar se ndaj anglezëve synojnë të japin maksimumin.

Maksimumin e kanë premtuar mbrojtësi Frederic Veseli e mesfushori Qazim Laçi, të cilët u paraqitën në konferencën për shtyp të mbajtur të martën. Veseli, që është pjesë e ekipit italian Salernitana, ka thënë se atmosfera brenda ekipit që ka nisur grumbullimin të hënën, është shumë e mirë. Ai ka insistuar se ka optimizëm se mund t’ia dalin ndaj Anglisë. Veseli ka vlerësuar se në ndeshjen e luajtur në Tiranë, Shqipëria pati një paraqitje të mirë. Në ndeshjen e zhvilluar në muajin mars, Shqipëria pati pësuar humbje me rezultatin 2:0.

“Atmosfera është e mirë deri tani dhe për mrekulli besojmë çdo herë. Më tepër se mrekulli është një ëndërr, kemi dhe pak shanse dhe do të japim maksimumin tonë. Na ka mbetur pak peng ndeshja me Poloninë, ku kemi pasur vërtetë mundësinë për të marrë të paktën një pikë sepse e kemi treguar veten në fushë”, ka thënë Veseli, i cili ka folur për duelin me Anglinë. Ai ka thënë se mbrojtja e Shqipërisë do të jetë gati për ta ndalur kapitenin e Anglisë, sulmuesin Harry Kane, përkundër mungesës së Berat Gjimshitit.

“Edhe në ndeshjen e fundit me Anglinë, besoj se kemi bërë një paraqitje të mirë. Gati të gjithë lojtarët e mbrojtjes luajnë në Serinë A, një kampionat ku niveli i mbrojtësve është shumë i famshëm. Është kënaqësi të luash kundër Harry Kane dhe të tjerëve. Secili të japë maksimumin e vet, ne të gjithë kemi vetëbesim dhe mirëkuptim njëri me tjetrin. Kush luan më mirë dhe kush ka më shumë fat e fiton ndeshjen”, është shprehur Veseli.

Edhe mesfushori Laçi, që është kthyer te Shqipëria pas lëndimit që e pati, është shprehur optimist para përballjes në Londër. Laçi i mungoi Shqipërisë në duelet e muajit të shkuar.

“Do të jetë një ndeshje e vështirë dhe po përgatitemi. Do të kemi një kundërshtar që ishte finalist në Kampionatin Evropian dhe po përgatitemi mentalisht dhe fizikisht për të bërë ndeshjen më të mirë. Do të japim maksimumin dhe të shpresojmë për rezultat”, është shprehur Laçi. “Do të jetë një ndeshje shumë e fortë dhe e vështirë, por edhe ne do të përgatitemi shumë mirë të marrim një rezultat. E kemi treguar veten tonë në të gjitha ndeshjet që kemi bërë, të vazhdojmë të japim maksimumin në këto dy ndeshje. Do jetë hera e parë që do të luaj në një stadium të tillë si Wembley. Kur vij me Kombëtaren emocionet janë të forta dhe jemi shumë të lumtur kur jemi këtu”.