Sport

KOK-u dërgon ankesë në KON ndaj Serbisë pasi iu mohua boksierëve kosovarë pjesëmarrja në Botëror

Komiteti Olimpik i Kosovës ka deponuar ankesën në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar (KON/IOC), në lidhje me refuzimin që iu bë delegacionit të boksit të Kosovës nga Serbia.

Boksierëve kosovarë iu mohua hyrja në Serbi për të marrë pjesë në Kampionatin Botëror që po mbahet në Beograd. Tri herë tentoi delegacioni i Kosovës të futet në Serbi, por iu mohua ajo.

“Ekipi i boksit u ndalua në kufi nga policia serbe, e cila me urdhër të Qeverisë së Serbisë, nuk lejoi ekipin tonë të kalonte kufirin tek “Dheu i Bardhë” një herë dhe Merdarë dy herë, më datat 23 dhe 24 tetor të muajit të kaluar. KOK ka deponuar gjithë materialin me dëshmitë e refuzimit të hyrjes së ekipit të boksit në kufi, duke iu bashkëngjitur foto, video, shkrime të mediave ndërkombëtare, letrat dërguar Federatës Botërore të Boksit Amator (AIBA) nga KOK-u dhe Federata e Boksit të Kosovës, etj. Në e letrën e dërguar nga presidenti i KOK-ut, Ismet Krasniqi, për presidentin e KON-it, Thomas Bach, krahas përshkrimit të të gjithë ngjarjes në mënyrë kronologjike, është kërkuar nga shtëpia e Lëvizjes Olimpike në botë, të marrin të gjitha veprimet e duhura ndaj organizatorëve të botërorit të boksit dhe të gjithë akterëve të përfshirë në mos lejimin e hyrjes së ekipit të boksit të Kosovës në Serbi”, thuhet nga KOK-u.

Ndër të tjera në letër thuhet: “Në rast se këto veprime shpëtojnë pa ndonjë dënim të vërtetë, mesazhi i gjithë komunitetit sportiv do të jetë se sporti mund të përdoret si platformë e veprimeve politike dhe dëmtuese. Ekipi i Kosovës është dëmtuar në të gjitha aspektet e mundshme: moralisht, fizikisht, psikologjikisht dhe financiarisht. Ne jemi bërë edhe një herë dëm kolateral i marrëdhënieve të paqarta dhe ne nuk jemi gati të vazhdojmë duke vuajtur nga regjimet politike të një vendi tjetër. Kjo është një mundësi e mirë për familjen olimpike, në mënyrë që të sjellin vendime të përshtatshme dhe të drejta, dhe t’i tregojmë botës se jemi gati t’i mbrojmë vlerat tona dhe për këtë nevojiten të përfshihen të gjitha palët e interesit në sport”, thuhet mes tjerash në letrën e presidentit Krasniqi.