Sport

Shaquille O’Neal nuk i ndan 400 milionë dollarët e tij me fëmijët

Legjenda e basketbollit Shaquille O’Neal ka zbuluar se ai mundohet të mësojë fëmijët e tij që të fitojnë vet paratë e tyre.

“Ata janë të zhgënjyer me mua, jo të zhgënjyer, por nuk e kuptojnë. U them gjithë kohës, ‘Ne nuk jemi të pasur. Unë jam i pasur’”, ka deklaruar O’Neal për podcastin “Earn Your Leisure”.

O’Neal ka bërë pasurinë e tij, që vlerësohet afro 400 milionë dollarë, gjatë karrierës së tij në NBA duke luajtur për gjashtë skuadra, e fituar katër tituj dhe një herë duke u shpallur basketbollisti më i mirë i stinorit.

Ai ka siguruar miliona të shumtë edhe pas përfundimit të karrierës, me linjën e tij të atleteve, investimet e bëra në Papa John’s dhe po ashtu si zëdhënës i “The General Automobile Insurance”.

Ai është analist i basketbollit në TNT.

O’Neal ka thënë se nuk u jep fëmijëve mundësi që të shfrytëzojnë atë për të avancuar veten. Ai thotë se pret që fëmijët e tij të shkojnë kolegj, të diplomojnë dhe nëse dalin me një kompani që duan që babai i tyre të investojë në të, atëherë duhet t’ia prezantojnë atij në mënyrë të mirë.

O’Neal ka thënë po ashtu se ka mbaruar me jetën e një personi të famshëm.

“Unë kam mbaruar me këtë”, kishte thënë O’Neal më herët për “New York Post”.