Sport

Munishi i gëzohet angazhimit të lojtarëve

Foto: Koha

Trajneri i Gjilanit, Ismet Munishi, ka thënë se është ndarë i kënaqur me pikën e fituar në Klinë, teksa tha se penallti humbin edhe lojtarët më të mëdhenj.

Gerhard Progni ishte ai i cili humbi penallti për Gjilanin në minutën e 95-të, kur rezultati ishte 1:1.

“Ishte ndeshje e vështirë marrë parasysh lëndimet dhe kartonët. Jam shumë i kënaqur me angazhimin e futbollistëve në fushë. Kemi pasur kundërshtar të fortë, të organizuar që diti të mbrohej. Na kundërsulmoj disa herë edhe pas rezultatit 1:0 dhe luajti mirë deri në fund. Por, loja jonë premton shumë që do të kemi rezultate pozitive në të ardhmen. Më gëzon fakti se nuk dorëzohemi deri në minutën e fundit. Humbja e penalltisë u ndodh edhe lojtarëve më të mirë. Progni na ka mbajtur vazhdimisht me lojë të mirë e me gola të shënuar. Edhe një pikë nuk është keq. Me Dukagjinin do të kenë problem edhe ekipet tjera. Skuadrat tjera edhe kanë humbur këtu. Dukagjini luan e organizuar mirë në fazën e mbrojtjes, por edhe kundërsulmet i ka të mira”, tha Munishi.

Gjilani renditet në vendin e tretë me 21 pikë në Superligë. Në xhiron e radhës e pret derbi me Prishtinën.