Sport

Pasi mposhti favoritin, te Liqeni rriten ambiciet për kalim në raundin elit

Kampioni i Kosovës në futsall, Liqeni, ka startuar me fitore në raundin kryesor (Main Round) të Ligës së Kampionëve.

Në ndeshjen e parë të Grupit 6, e cila u zhvillua të enjten në Ivano-Frankivsk të Ukrainës, Liqeni e ka mposhtur ekipin nga Rumania, United Galati, me rezultatin 6:4. Dueli ishte interesant dhe fituesi nuk është ditur deri në fund. Skuadra rumune nuk u dorëzua deri në fund dhe me pak fat ka mundur edhe ta barazojë rezultatin, në kohën kur Liqeni kishte epërsinë e një goli, 5:4.

Ekipi kosovar e nisi mbarë ndeshjen dhe krijoi epërsi prej tre golave. Taulant Ismaili në minutën e 10-të, Nagles Sanchez në të 14-ën dhe Arbër Shkodra në minutën e 16-të shënuan për Liqenin. Por, kampioni i Rumanisë ia doli të rikthehet brenda një kohe të shkurtër. Brenda dy minutave, Daniel Aruajo shënoi dy gola për të ngushtuar epërsinë në 3:2. I njëjti lojtar barazoi shifrat me të filluar pjesa e dytë.

Liqeni riktheu epërsinë me autogolin e Lucasit, kurse Yulian Diazi ngriti avantazhin në 5:3. Cires shënoi për Galatin për 5:4. Rumunët patën mundësi edhe ta barazonin rezultatin, por nuk ia dolën. Ndërkohë, dy minuta para fundit, Nagles Sanchezi vulosi fitoren e ekipit nga Drenasi me shifrat 6:4.

Trajneri i Liqenit, Shpend Ibrahimi, ka thënë për KOHËN se e kanë fituar ndeshjen të cilën në letër e kanë vlerësuar më të vështirën. Sipas Ibrahimit, ekipi që ai drejton me plot meritë ka arkëtuar pikë të plota.

“Kjo është një fitore shumë me rëndësi për ne. Ky triumf na jep motiv dhe vetëbesim të madh. Ishte ndeshje e vështirë. Kundërshtari ishte shumë i fortë. Ne e kemi studiuar mirë kundërshtarin dhe ia dolëm. Mendoj që ne e deshëm më shumë fitoren. Ishim të koncentruar maksimalisht dhe nuk lejuam që të na ikë asgjë. Mund të them që është kundërshtari më i fortë në grup”, tha Ibrahimi.

Ai theksoi se edhe dy ekipet e tjera me të cilat do të takohen në kuadër të kësaj faze, janë të forta.

“Kundërshtari i parë ishte shumë i fortë, por edhe dy ekipet më të cilat do të luajmë janë të forta, pasi janë kampion të vendeve të tyre. Bëhet fjalë për kundërshtarë cilësorë”.

Ibrahimi e pranon se gjasat për të kaluar në raundin elit (Elite Round) tani janë rritur shumë.

“Kjo fitore na favorizon që ta kalojmë grupin dhe të paraqitemi në fazën tjetër. Ky është edhe synimi ynë. Do ta japim më të mirën për të arritur atje ku duam. Gjithçka është duke shkuar mirë dhe besoj që mund t’ia dalim”, u shpreh Ibrahimi.

Realizuesi i dy golave për Liqenin, Camilo Sanchez Nagles, ka deklaruar se fitoren e arritën falë angazhimit të madh.

“Lojën e parë e kemi marrë shumë seriozisht, duke pasur parasysh se ekipi nga Rumania ka qenë favorit. Por, me disiplinë dhe lojë ekipore arritëm fitore”, tha Sanchez. “Nëse vazhdojmë me këtë lojë edhe në dy ndeshjet e radhës, besoj që mund ta kalojmë grupin”.

Ndeshjen e radhës, Liqeni e luan të premten nga ora 18:00 ndaj ekipit vendas nga Ukraina, Uragan.

Uragani të enjten fitoi 2:1 ndaj Arazit azerbajxhanas.

Me Arazin, kampioni kosovar takohet të dielën nga ora 13:00. Vetëm fituesi i grupit kalon në raundin elit.

Liqeni fitoi grupin në raundin preliminar dhe kështu kaloi në raundin kryesor të Championsit.

Suksesin më të madh në Ligën e Kampionëve nga skuadrat kosovare e kishte arritur Feniksi, po ashtu nga Drenasi, klub që është shuar. Feniksi kishte shkuar deri në raundin elit.