Sport

Te Malisheva thonë se u dëmtuan, por presin t’u kthehen rezultateve pozitive

Skuadra e Malishevës e nisi mbarë edicionin debutues në Superligën e Kosovës në futboll. Madje, në fillim ishte edhe në krye të tabelës duke u cilësuar si befasi e këtij edicioni. Në gjashtë javët e para, Malisheva arriti tri fitore, dy barazime dhe pësoi vetëm një humbje. Por, me kalimin e xhirove, malishevasit i kaploi kriza. Kanë katër humbje në pesë duelet e fundit, rezultate që e kanë bërë Malishevën të zbresë në vendin e gjashtë me 12 pikë të mbledhura pas 11 xhirove.

Trajneri i Malishevës, Arsim Thaqi, e pranon se ka pritur që të kenë krizë të rezultateve. Sipas tij, fondi i lojtarëve, mungesa e përvojës dhe lëndimet, kanë ndikuar shumë. Një pjesë të fajit Thaqi ua hedh edhe gjyqtarëve.

“Është shumë e vërtetë që kemi pasur paraqitje shumë të mira në start të kampionatit, ku kemi bërë edhe befasi. Unë e kam pritur që do të kemi rënie, sa u përket rezultateve. Ndër faktorët janë fondi i lojtarëve dhe eksperienca e tyre për të pasur një vazhdimësi të rezultateve. Mendoj që rezultatet dhe pikët e arritura deri me tani janë në proporcion me cilësinë e ekipit që ka Malisheva. Edhe pse mendoj që kemi humbur pikë, jo me fajin tonë, por me pakujdesinë e gjyqtarëve në disa ndeshje. Ne i kemi deponuar dëshmitë tona në Federatën e Futbollit të Kosovës”, ka thënë Thaqi të mërkurën për KOHËN. “Probleme të mëdha na ka shkaktuar mungesa e lojtarëve startues në këto ndeshjet e fundit për shkak të kartonëve, por edhe lëndimeve”. Pavarësisht rezultateve jo të mira në duelet e fundit, Thaqi thekson se është i kënaqur me angazhimin e lojtarëve të tij. Dëshpërimi më i madh i tij është ndeshja e fundit ndaj Ulpianës, të cilën Malisheva e humbi në shtëpi me rezultatin e ngushtë 2:1.

“Unë jam i kënaqur me paraqitjen që ka pasur skuadra në të gjitha ndeshjet, përveç duelit të fundit kundër Ulpianës. Vetëm në atë ndeshje nuk kam qenë i kënaqur me atë që kanë treguar lojtarët”, tha Thaqi.

Ai shtoi se Malisheva i ka synimet e qarta, të mbetet pjesë e Superligës këtë sezon, ndërsa edicionin tjetër të synojë më shumë.

“Për këtë sezon, objektivi i Malishevës ka qenë dhe mbetet mesi i tabelës. Çdo ekip që hyn në Superligë, i duhet kohë për t’u përshtatur. Nëse në këtë edicion Malisheva do të jetë stabile dhe do të arrijë objektivin që ka, atëherë në vitin tjetër do të ketë ambicie të tjera”, tha ai.

Duelin e radhës, Malisheva e luan në udhëtim te Drita, që është nënkampione në fuqi. Trajneri Thaqi e vlerëson si ndeshje të vështirë. Ai insiston se Drita e ka ekipin më cilësor në ligë. Kështu që, Thaqi thotë se çdo rezultat përveç humbjes në këtë përballje është pozitiv për Malishevën. Edhe drejtuesit e Malishevës besojnë që shumë shpejt ekipi do t’u kthehet rezultateve që ata duan. Drejtori i përgjithshëm Kastriot Kafexholli thotë se shtabi teknik dhe lojtarët e kanë përkrahjen e klubit.

“Është e vërtetë që në ndeshjet e fundit nuk kemi arritur rezultate pozitive. Por besoj që shumë shpejt Malisheva do t’u kthehet rezultateve të mira. Ne si klub jemi të kënaqur me angazhimin e lojtarëve, me punën që po bën shtabi teknik dhe po mundohemi që t’i përkrahim në të gjitha format”, tha Kafexholli.

Sikurse trajneri Thaqi, edhe Kafexholli mendon që janë dëmtuar nga gjyqtarët. Madje, ai kërkon që edhe sistemi VAR të përdoret më mirë në disa situata.

“Ne nuk kemi kërkuar asnjëherë favore nga askush dhe nuk do ta bëjmë një gjë të tillë. Ne jemi dëmtuar në disa ndeshje dhe për këtë kemi edhe fakte. Në kërkojmë që gjyqtarët të jenë më të kujdesshëm dhe të mos bëjnë veprime që e dëmtojnë ekipin. Po ashtu, edhe VAR-i është mirë të përdoret në mënyrë korrekte për të gjithë. Nuk duam që djersa e lojtarëve dhe investimet e shumta të shkojnë huq me veprime jo të drejta. Pra është një sugjerim në aspektin pozitiv për gjyqtarët dhe jo vetëm për klubin tonë, por edhe për klubet e tjera. Vetëm kështu mund të ecim përpara”, shtoi ai.