Sport

Sportistët e Kosovës për herë të parë në Ukrainë, Liqeni kërkon suksesin në Championsin e futsallit

Pavarësisht rezultateve që do t’i kenë, lojtarët e Liqenit tashmë kanë shkelur territore të reja. Ata të martën janë vendosur në Ukrainë dhe janë bërë sportistët e parë nga Kosova që përfaqësojnë vendin në një mënyrë e që kanë hyrë në këtë vend.

Deri më tani Ukraina nuk ka lejuar paraqitjen e sportistëve të Kosovës në territorin e saj. Madje as hyrjen e tyre. Disa ndeshje të klubeve e përfaqësueseve të Kosovës me klube e përfaqësuese të Ukrainës janë luajtur ose në Kosovë ose në terren neutral. Por asnjëherë në Ukrainë.

Situata ka ndryshuar ndërkohë dhe klubi nga Drenasi, Liqeni, do të luaj ndeshje të Ligës së Kampionëve në Ukrainë.

Pas suksesit në raundin preliminar, Liqeni paraqitet në “Main Round” (raundin kryesor).

Është në grup me United Galatin e Rumanisë, Uraganin e Ukrainës dhe Araz Naxçivanin e Azerbajxhanit. Uragani është nikoqir i grupit të gjashtë, ndërsa vetëm i pari i grupit kualifikohet në raundin elit.

Ndeshjet do të luhen në Ivano-Frankivsk.

Delegacioni i Liqenit ka zbarkuar në aeroportin e Lvivit dhe menjëherë është nisur për qytetin ku i luan ndeshjet. Drejtuesit e Liqenit kanë treguar se nuk kanë pasur ndonjë telashe të natyrës politike dhe se pritja ishte tejet e ngrohtë si nga zyrtarët shtetërorë ashtu edhe nga organizatorët e turneut.

Të mërkurë Liqeni zhvillon stërvitje, ndërsa të enjten e ka ndeshjen e parë.

“Nuk kemi pasur asnjë problem dhe mikpritja është shumë e mirë. Nuk kemi pasur ndonjë vonesë apo ndonjë komplikim të natyrës politike. Nga momenti që kemi zbritur në Lviv, të gjithë kanë qenë të informuar për udhëtimin tonë. Çdo gjë ka shkuar si më mirë”, kanë bërë të ditur për KOHËN drejtues të Liqenit.

Të enjten Liqeni takohet me skuadrën rumune, Galati. Të premten luan me Uraganin vendas, ndërsa të dielën me Arazin. Synimi i Liqenit është i qartë – vendi i parë në grup dhe avancimi në raundin elit.