Sport

Trajneri i Southamptonit pret edhe më shumë gola nga Broja

Trajneri i Southamptonit, Ralph Hasenhuttl ka bërë të ditur se pret të shoh edhe më shumë gola nga sulmuesi i Shqipërisë, Armando Broja.

Broja, i cili këtë edicion është i huazuar nga Chelsea, ka shënuar dy gola me fanellën e Southamptonit në dy ndeshjet e fundit në Premier League.

Në fakt, në dy ndeshjet që realizoi gola, Broja ishte titullar te Southamptoni dhe trajneri Hasenhuttl ka pranuar se është i lumtur që e ka një sulmues të tillë në ekipin e tij.

“E kemi parë që Broja ka shënuar dy gola në dy ndeshjet që i ka luajtur si titullar. Ai na jep shumë cilësi në sulm për të cilat si ekip kemi nevojë dhe jam i lumtur që e kemi në radhët tonë”, ka thënë Hasenhuttl.