Sport

Katër skuadra të hendbollisteve ndalen në raundin e dytë të Kupës Evropiane

Kupa Evropiane në hendboll në konkurrencë të femrave këtë edicion nisi me raundin e dytë. Dhe për skuadrat kosovare edicioni përfundoi pikërisht me ndeshjet e raundit të dytë.

Plot katër skuadra kosovare të hendbollisteve, si në asnjë sport tjetër, u paraqitën për të garuar në gara kontinentale, përkatësisht në Kupën Evropiane, që është niveli i tretë.

Dhe asnjëra prej tyre nuk ka mundur të avancojë në raundin tjetër. Skuadrat e hendbollit ka një dekadë e gjysmë që janë pjesë e skenës evropiane, por vazhdojnë të kenë telashe për t’i kaluar raundet nismëtare.

Ferizaj është e fundit prej skuadrave të hendbollisteve që garoi në Kupën Evropiane. Të shtunën e të dielën skuadra ferizajase i luajti dy ndeshje me skuadrën holandeze JuRo Unirek. Të dy ndeshjet janë luajtur në Holandë, përkatësisht në ‘t Veld.

Të shtunën Ferizaj pësoi me shifrat 35:14, ndërsa të dielën humbi edhe më thellë, 37:13. Ferizajt nuk i ndihmoi shumë fakti që ka në përbërje tri lojtare maqedonase. Njëra prej tyre, Meri Koneski, të dielën shënoi shumicën e golave – shtatë.

Të shtunën KHF Prishtina luajti në udhëtim ndaj Vardarit të Shkupit. Humbi me shifrat 32:27. Prishtinaset ndeshjen e parë në shtëpi e kishin humbur me shifrat 39:35. Prishtina në përbërje i ka dy lojtare nga Afrika e një nga Mali i Zi. Por raundi i dytë i Kupës Evropiane ishte “kufiri” edhe për Prishtinën.

Më së keqi ka kaluar kampionia aktuale, Vushtrria. Vushtrria u pajtua që dy ndeshje t’i luajë në Nottwil të Zvicrës me skuadrën SPONO Eagles dhe ka pësuar dy humbje të thella. Fundjavën e kaluar fillimisht pësoi me rezultatin 42:14 e më pas me 41:6. Është kjo prej humbjeve më të thella që skuadrat kosovare kanë pësuar ndonjëherë në gara evropiane.

Më së afërmi suksesit ishte Istogu, por as istogaset nuk i kanë evituar humbjet.

Për dallim nga Vushtrria e Ferizaj, Istogu dy ndeshjet me skuadrën islandeze KA/Por i luajti në shtëpi. Fillimisht humbi me 26:22 e më pas me 37:34. Istogu në përbërje i ka katër lojtare nga Mali i Zi.

Edhe në sportet e tjera, volejboll e futboll, kundërshtarët e parë evropianë ishin të pakalueshëm për skuadrat kosovare në konkurrencë të femrave. Kështu konfirmohet se niveli i sportit femëror në vend është larg prej nivelit që kanë arritur xhudistet. Majlinda Kelmendi, Nora Gjakova e Distria Krasniqi kanë tituj olimpikë në xhudo.