Sport

IOC-ja fajëson AIBA-n për mbetjen e Kosovës jashtë Botërorit

Komiteti Olimpik Ndërkombëtar (IOC) është përfshirë në përplasjet lidhur me mbetjen e boksierëve të Kosovës jashtë Kampionatit Botëror të boksit amator që po mbahet në Beograd. IOC-ja e ka lënë përgjegjës Federatën Ndërkombëtare të Boksit Amator (AIBA) lidhur me diskriminimin që është bërë ndaj Kosovës.

Hapja solemne e Botërorit është sonte, ndërsa të hënën zhvillohen meçet e para. Shorti tashmë është tërhequr. Boksierët e Kosovës kanë bërë tri përpjekje për të hyrë në Serbi, por janë ndalur në kufi nga autoritetet e Serbisë. Madje herën e dytë provuan të hyjnë në Serbi pa mbajtur uniformat me simbole të Kosovës. Por as kjo nuk ka mjaftuar.

Sipas IOC-së, AIBA nuk ishte mjaftueshëm e kujdesshme kur vendosi që Beogradi të jetë organizator i Kampionatit Botëror.

IOC-ja vlerëson se incidenti u shkaktua pas dështimit të AIBA-s për të ndjekur këshillat e Komitetit Olimpik Ndërkombëtar lidhur me përcaktimin e organizatorit të një ngjarjeje të madhe.

“Duket se AIBA nuk e ka pasur kujdesin e nevojshëm para se t’ia ndante këtë turne Beogradit, pavarësisht faktit se IOC-ja i ka këshilluar vazhdimisht federatat ndërkombëtare për domosdoshmërinë e një kujdesi të tillë”, thuhet në një komunikatë të lëshuar të dielën nga IOC-ja.

Raportet e IOC-së me AIBA-n nuk janë të mira. E ka suspenduar në vitin 2019 dhe e ka lënë jashtë zhvillimeve lidhur me kualifikimet olimpike dhe turneut të Lojërave Olimpike “Tokio 2020”.

Vendimi i IOC-së ka të bëjë me çështje të qeverisjes, financat dhe etikën. Komiteti Olimpik Ndërkombëtar ka kërkuar reforma të menjëhershme dhe të gjera për të rishikuar vendimin e saj për pezullim të AIBA-s.

“Ky incident, i cili është i dëmshëm për sportistët e Kosovës, rrit shqetësimet e rënda që IOC-ja ka në lidhje me qeverisjen e kësaj federate ndërkombëtare të suspenduar”, ka shtuar IOC-ja.

Kosova është që nga viti 2014 pjesë e IOC-së dhe e AIBA-së.

IOC-ja nuk ka pasur ndonjë informatë lidhur me rrethanat në të cilat AIBA ka vendosur që Beogradi të jetë organizator i Botërorit.

“Ne nuk kemi pasur asnjë informacion në lidhje me rrethanat e ndarjes, kushtet apo partnerët kontraktualë të AIBA-s në lidhje me këto kampionate botërore”, ka vazhduar IOC-ja.

Pas vendimit të Serbisë për të mos lejuar hyrjen e boksierëve kosovarë, ka pasur një korrespodencë të drejtuesve të Komitetit Olimpik të Kosovës me drejtuesit e AIBA-s.

Presidenti i KOK-ut, Ismet Krasniqi, ka thënë se boksierët e Kosovës janë “viktimë e agjendës politike të Serbisë”.

Sajti i njohur “insidethegames.biz” ka shkruar të dielën se AIBA fillimisht kishte premtuar se Kosova do të lejohej të garonte me uniformë nacionale dhe se do të shfrytëzonte edhe flamurin e shtetit. Por më vonë AIBA ka njoftuar ekipin, sipas “insidethegames”, që Komiteti Organizativ nuk do të lejonte flamurin shtetëror dhe simbolet në arenën ku mbahet Kampionati Botëror. Në vend të kësaj Kosova do të duhej të garonte me flamur të AIBA-s.

FBOXK ishte e vendosur që në Beograd të garonte vetëm nëse do të trajtohej e barabartë me vendet e tjera.

I pari i AIBA-s, Umar Kremlev, i ka shkruar Krasniqit se do të nxirren mësime nga situata aktuale.

“Nëse përpjekjet tona rezultojnë të pasuksesshme, atëherë jam i sigurt se do të ketë mësime për të mësuar dhe për të ndarë. Për momentin le të vazhdojmë të punojmë për një rezultat të favorshëm në orët në vijim”, ka shkruar Kremlev.

KOK-u ka vazhduar korrespodencën me AIBA-n edhe të dielën mbrëma, pasi delegacioni kosovar për herë të tretë u ndal në kufirin me Serbinë. I pari i KOK-ut, Krasniqi, ka kërkuar që të merren menjëherë masa nga AIBA ndaj organizatorit. Por kjo nuk pritet të ndodhë. Shorti tashmë është tërhequr.