Sport

Liverpooli i Kloppit i frikësohet Unitedit të luhatshëm

Descriptive Text

Trajneri i Liverpoolit, Juergen Klopp, mohoi kategorikisht se ai “po fërkon duart” për t’i lëshuar sulmuesit e tij në formë fantastike kundër mbrojtjes së dobët të Manchester Unitedit, në ndeshjen e së dielës që luhet në “Old Trafford” nga ora 17:30.

Tre sulmuesit e Liverpoolit, Mohamed Salah, Sadio Mane e Roberto Firmino, po shënojnë lirshëm për ekipin e Kloppit që nuk di për humbje këtë edicion dhe është i dyti në tabelën e Premier Leagues me vetëm një pikë prapa liderit, Chelseat.

Salah shënoi dy gola në fitoren 3:2 ndaj Atletico Madridit në Ligën e Kampionëve, rezultat ky që do të thotë se Liverpooli ka shënuar të paktën tre gola në çdo ndeshje që e ka luajtur si mysafir këtë sezon në të gjitha garat. Edhe Unitedi fitoi me rezultatin e njëjtë në Champions ndaj Atalantas, ndonëse ishte në disavantazh 2:0. Cristiano Ronaldo shënoi golin e fitores për Unitedin.

“Nuk ka pasur asnjë sekondë që kam fërkuar duart për faktin se sulmuesit e ekipit tim janë në formë fantastike. Nuk ka arsye për këtë. Dueli i së dielës është i madh dhe gjithçka është e mundur. Unitedi ndaj Atalantas pati dy fytyra dhe është një ekip tejet cilësor që të shkakton shumë probleme”, pranoi Klopp të premten. “Unë mendoj se tek Unitedi nuk janë të kënaqur me rezultatet që i kanë arritur deri më tani, por të gjithë e dimë se është ekip i papërshtatshëm dhe mund të bëjë gjëra të jashtëzakonshme, pavarësisht formës së luhatshme. Ne do të jemi gati për këtë ndeshje dhe sigurisht që synim e kemi të mbetemi të pamposhtur”.

Liverpooli është ekipi i vetëm që nuk di për humbje këtë sezon në Premier League, pas tetë xhirove të luajtura.

Skuadra e Ole Gunnar Solskjaerit ka pasur luhatje në kampionat, duke marrë vetëm një pikë nga tri ndeshjet e fundit dhe nuk ka arritur të mbajë portën e paprekur në 12 ndeshje rresht në shtëpi në të gjitha garat. Unitedi ka tubuar 15 pikë, tri më pak se Liverpooli, dhe zë vendin e shtatë në tabelë. Megjithatë, norvegjezi Solskjaer mendon se ekipi i tij është i gatshëm të reagojë ndaj Liverpoolit, pas rikthimit të pabesueshëm ndaj Atalantas në mesjavë. Edhe ndaj Liverpolit, Solskjaer ka pranuar se do të mbështetet tek ylli portugez Cristiano Ronaldo. Portugezi ka shënuar gola vendimtarë për Unitedin në të gjitha garat dhe Solskjaer ka treguar se e favorizon më shumë Ronaldon sesa egjiptianin Salah, për të cilin Klopp ditë më parë tha se është lojtari më i mirë në botë për momentin. Salah ka shënuar 12 gola në të gjitha garat deri më tani, gjashtë më shumë se Ronaldo, dhe ndeshja në “Old Trafford” do të jetë një duel interesant ndërmjet tyre.

“Unë gjithmonë e mbështeti Ronaldon, në çdo garë, pasi është më i miri. Kështu që edhe ndaj Liverpoolit si ekip presim shumë prej tij, për shkak se është unik dhe vendimtar. Natyrisht edhe Salah është në formë të mirë dhe ne duhet të tregohemi të kujdesshëm në mbrojtje ndaj tij”, ka thënë Solskjaer. “Sulmi i Liverpoolit është i frikshëm, por besoj se ne do të jemi të fokusuar gjatë 95 minutave që ta mbajmë të qetë. Duhet të reagojmë, sidomos pas humbjes që e pësuam nga Leicesteri, pasi duhet të mbajmë hapin me kreun e tabelës”.