Sport

Bashkimi i pamëshirshëm ndaj Dritës

KB Bashkimi është kthyer te fitorja në Superligë pas humbjes që e pësoi në derbin lokal kundër Prizrenit-16 vikendin e shkuar.

Të enjten, Bashkimi ka triumfuar bindshëm ndaj skuadrës së Dritës në xhiron e shtatë të Superligës së Kosovës në basketboll. Ndeshja e luajtur në palestrën “Mizahir Isma” në Rahovec, ku Bashkimi ishte vendas ka përfunduar me rezultatin 105:54 në të mirë të ekipit nga Prizreni.

Për Bashkimin, kjo është fitorja e katërt këtë edicion që e ngrit në kuotën e 11 pikëve. Ndërkohë, Drita mbetet e fundit në tabelë, me shtatë pikë të mbledhura prej shtatë humbjeve. Në fakt, Drita është skuadra e vetme që këtë edicion nuk di për fitore në elitën e basketbollit kosovar.

Andi Shehu dhe Valon Bunjaku ishin më të dalluarit te Bashkimi në këtë ndeshje, në të cilën trajneri Branimir Paviq aktivizoi të gjithë lojtarët që i kishte në dispozicion. Shehu ndeshjen e mbylli me 22 pikë ndërsa Bunjaku shtoi 21 sosh për triumfin e thellë të Bashkimit.

Në anën tjetër, Bardh Jakupi me 14 pikë ishte më efikasi te Drita, i përcjellë nga Isiah Johnson që shtoi 13 pikë e dhjetë kërcime por që nuk mjaftuan për të evituar humbjen e shtatë rresht këtë sezon.