Sport

Klopp nuk e pëlqen stilin e lojës së Atleticos, por është gati për Simeonen

Virgil van Dijk është kursyer për ndeshjet e Ligës së Kampionëve deri më tani këtë sezon pasi trajneri i Liverpoolit, Juergen Klopp është kujdesur të mos e mbingarkojë mbrojtësin e tij pas një dëmtimi të rëndë në gju.

Megjithatë, duket se është koha që holandezi të kthehet fuqishëm në garat evropiane. Van Dijk do të jetë titullar ndaj Atletico Madridit në kryeqytetin spanjoll të martën, gati një vit pasi e mori diagnozën se patjetër duhet t’i nënshtrohet operimit të gjurit të djathtë, gjë që do ta përjashtonte atë për pjesën e mbetur të sezonit të kaluar dhe Kampionatit Evropian.

Van Dijk ka luajtur çdo minutë në tetë ndeshjet e Liverpoolit këtë sezon në Premier League, ndonëse ishte pushuar për Champions deri më tani, duke luajtur vetëm ndaj Portos, por jo edhe Milanit. Tani, Van Dijk mendon se është plotësisht gati për ta ndihmuar ekipin anglez edhe në Champions. Dueli mes Atleticos dhe Liverpoolit zhvillohet të martën në stadiumin “Wanda Metropolitano”, prej orës 21:00 dhe i takon Grupit B. Liverpooli është lider i grupit me gjashtë pikë, dy më shumë se Atletico që zë vendin e dytë.

“E di që të gjithë presin që unë të kthehem fuqishëm në Champions dhe jam i gatshëm ta dëshmoj këtë. Jam i lumtur që po kthehem edhe në Ligën e Kampionëve dhe synimi im është ta ndihmoj ekipin për një rezultat pozitiv”, ka pranuar Van Dijk.

Me “qendërmbrojtësin më të mirë në botë” – sipas Kloppit – Liverpooli nuk e ka humbur asnjë ndeshje këtë sezon në elitën e futbollit anglez. Kështu që, Klopp po shpreson se me Van Dijkun në përbërje ndaj Atleticos, Liverpooli do ta regjistrojë edhe fitoren e tretë në po aq ndeshje të luajtura në fazën e grupeve të Championsit për ta bërë një hap para drejt kualifikimit në raundin tjetër. Mirëpo Klopp ka pranuar se nuk do të jetë aspak lehtë përballë Atleticos, ekip për të cilin ka pranuar se nuk ia pëlqen aspak stilin e lojës. Atletico i ka humbur vetëm dy prej 59 ndeshjeve të fundit në të gjitha garat, si dhe pati eliminuar Liverpoolin në 1/8 e finales së Ligës së Kampionëve para dy sezoneve.

“Edhe tani e them se nuk më pëlqen stili i lojës së Atleticos, sepse preferoj një stil tjetër. Megjithatë, Diego Simeone ka bërë një punë të madhe me Atleticon. Është kampion në fuqi i Spanjës dhe për këtë duhet ta respektojmë”, është shprehur Klopp. “Për këtë ndeshje jemi të kompletuar në çdo repart dhe kam besim në ekipin tim”.

Livrerpooli nuk di për humbje në 11 ndeshjet e fundit këtë sezon, dhe trajneri i Atleticos, Simeone e ka parasysh shumë mirë këtë statistikë. Madje, Simeone ka shtuar se kthimi i Van Dijkut në formën më të mirë i ka dhënë Liverpoolit siguri edhe më të madhe në mbrojtje, të cilën nuk e ka pasur sezonin e shkuar. Atleticos për këtë ndeshje do t’i kthehen Marcos Llorente, Jose Maria Gimenez e Matheus Cunha, të cilët janë rikuperuar nga lëndimi.

“Liverpooli ka një ekip fantastik, por me kthimin e Virgil van Dijkut është kompletuar edhe në mbrojtje. Këtë edicion po luan me një ritëm të lartë dhe për mua si trajner është kënaqësi që përballem me një skuadër të tillë. E di shumë mirë se Liverpooli do të na i vështirësojë shumë gjërat, por ne do të jemi gati që ta përballojmë një intensitet të tillë dhe t’i lëndojmë nëpërmjet mënyrave tona”, është shprehur Simeone. “Herën e fundit kur kemi luajtur ndaj Liverpoolit në stadiumin tonë, mund të them se e kemi fituar ndeshjen pa u futur në fushë. Kështu që, edhe këtë herë do të jetë njëjtë për Atleticon”.

Ndërkohë, sa u përket fjalëve të Kloppit se nuk e pëlqen stilin e lojës së Atleticos, Simeone ka thënë se nuk mund t’ia ndryshojë askujt mendimin.

E martë

Grupit A

C. Brugge – Man. City (18:45)

PSG – Leipzig (21:00)

1. PSG 2 4

2. C. Brugge 2 4

3. Man. City 2 3

4. Leipzig 2 0

Grupi B

Atl. Madrid – Liverpool (21:00)

Porto – Milan (21:00)
 

1. Liverpool 2 6

2. Atl. Madrid 2 4

3. Porto 2 1

4. Milan 2 0

Grupi C

Beshiktash – Sporting (18:45)

Ajax – B. Dortmund (21:00)

1. Ajax 2 6

2. B. Dortmund 2 6

3. Beshiktash 2 0

4. Sporting 2 0

Grupi D

Inter – Sheriff (21:00)

Shakhtar – Real Madrid (21:00)
 

1. Sheriff 2 6

2. Real Madrid 2 3

3. Inter 2 1

4. Shakhtar 2 1