Sport

Skitarët nisin përgatitjet për Lojërat Olimpike Dimërore

Albin Tahiri, Arbi Pupovci, Drin Kokaj dhe Kiana Kryeziu kanë udhëtuar drejt Austrisë për t’u përgatitur për garat e stinorit të ri të skijimit, duke përfshirë edhe Lojërat Olimpik Dimërore që mbahen vitin e ardhshëm në Kinë, përkatësisht në Pekin (Beijing).

Në qendrën skitare, Hintertux Glacier në Austri, skitarët e Kosovës do të qëndrojnë 30 ditë. Por jo të gjithë garojnë në ngjarjen më të madhe sportive.

Pjesëmarrjen në Lojërat Olimpik në Pekin e ka të sigurt vetëm Tahiri, që jeton në Slloveni. Në Federatën Skitare të Kosovës (FSK) shpresojnë që Komiteti Olimpik Ndërkombëtar (IOC) t’ia lejojë pjesëmarrjen në disiplinën e sllallomit edhe Arbi Pupovcit.

Pupovci në janar të këtij viti e mbylli në vendin e tretë një garë në Pamporovo të Bullgarisë, rezultat që vlerësohej i mjaftoi për të siguruar normën olimpike në disiplinën e sllallomit. Për ta siguruar normën në disiplinën e sllallomit, një garuesi i duhet që në pesë gara zyrtare të FIS-it të arrijë më pak se 160 pikë. Sigurimi i normës për Lojërat Olimpike Dimërore nuk është njëjtë sfidues si për Lojërat Olimpike Verore. Duhet të arrihen standarde, por që janë larg me ato të kërkuara për Lojërat Olimpike Verore.

Megjithatë, Pupovci do ta ketë të vështirë pjesëmarrjen në Kinë. Këtë e thotë edhe vetë kryetari i FSK-së, Milaim Kelmendi.

Ndërkohë, Kelmendi pret që Tahiri të ketë sukses në Pekin. I pari i FSK-së ka theksuar se Tahiri nuk është në formën më të mirë të mundshme, pasi, sipas tij, i ka munguar aktiviteti në borë.

“Skitarët tanë janë nisur sot për në Austri, ku do të përgatiten për 30 ditë. Ky do të jetë fillimi i përgatitjeve. Albini nuk është në formën më të mirë, pasi ka pasur mungesë të përgatitjeve në një qendër me borë. Por, ai qysh tash do të përgatitet maksimalisht për t’i mbushur bateritë për Lojërat Olimpike, që do të mbahen në shkurt të vitit të ardhshëm. Ne si Federatë nuk kemi pasur mundësi financiare për t’i dërguar në përgatitje. Ka vonesa e po ashtu edhe Komiteti Olimpik i Kosovës. Por besoj se do të arrijmë që Albini dhe garuesit e tjerë të kenë të paktën 60 ditë përgatitje para Lojërave Olimpike”, ka thënë Kelmendi.

Lojërat Olimpike Dimërore nisin më 4 shkurt dhe përfundojnë më 20 shkurt. Tahiri ka normë në katër disiplina të ndryshme. Pritjet e Kelmendit për të arritur sukses janë në disiplinat e shpejta. Ai në fakt në garat e deritashme ka qenë shumë larg zonës së medaljeve.

“Do të presim nëse Komiteti Olimpik Ndërkombëtar do të na lejojë edhe pjesëmarrjen e Arbit, por aktualisht kemi vetëm Albinin, nga i cili presim që në disiplinat e shpejta të arrijë rezultat. Të presim se si do të shkojnë gjërat, pasi ne shpresojmë të kemi sukses në Lojërat Olimpike. Vendi i 30-të në njërën prej disiplinave që Albini do të marrë pjesë, do të ishte për ne sikur të fitonim medalje në Lojërat Olimpike. Do të ishte e arritur e madhe”, ka theksuar Kelmendi.