Sport

Chelsea mund të shkruajë historinë në fundjavë

Premier League kthehet sërish në aksion pas pushimit të dytë për shkak të ndeshjeve të përfaqësueseve.

Do të jetë tjetër javë e zjarrtë në luftën për titull, por edhe për mbetjen në elitë.

Fillon periudhë e re për Newcastlen, që të dielën në orën 17:30 luan në shtëpi te Tottenhami, për herën e parë me pronarët e rinj nga Arabia Saudite.

Vetëm gjashtë pikë i ndajnë 11 ekipe të Premier Leagues.

Lider është Chelsea, që të shtunën në orën 18:30 luan në udhëtim te Brentfordi.

Chelsea i ka fituar gjashtë ndeshjet e fundit si mysafir në derbit e Londrës në Premier League dhe mund të bëhet ekipi i parë në historinë e futbollit anglez që i fiton shtatë ballafaqime të njëpasnjëshme, si mysafir.

Do të ketë punë të vështirë me Brentfordin që në shtëpinë e vet, në Premier League, mbetet i pamposhtur në ndeshjet me ekipet londineze. Mposhti Arsenalin dhe West Hamin, derisa barazoi me Crystal Palacen.

Leicester City – Manchester United mund të vlerësohet si dueli më i fortë i fundjavës në Angli.

Leicesteri ka fituar dy ndeshje të njëpasnjëshme kundër Unitedit për herën e parë. Duelin e fundit të zhvilluar në muajin maj në “Old Trafford”, “dhelprat” e fituan 2:1.

Megjithatë, Unitedi në vizita po tregohet shumë i fortë. Nuk di për disfatë në 29 ballafaqime.

Nëse një ekipi do t’i duhej pushimi dyjavor, ai do të duhej të ishte Manchester City.

U desh të udhëtonte te Chelsea në Premier League dhe Paris Saint-Germaini në Champions, e më pas edhe në “Anfield” te Liverpooli në elitën e futbollit anglez.

Megjithatë, nuk pritet të ketë problem kundër Burnleyt që gjendet në situatë të vështirë në tabelë, në vendin e 18-të me vetëm tri pikë.

Në tetë ndeshjet e fundit në mes vete, City i ka fituar që të gjitha ndaj Burnleyt, me goldallim 30:1.

Takimi mes kampionit në fuqi Manchester Cityt dhe Burnelyt zhvillohet të shtunën në orën 16:00.

Javën e tetë në Premier League në fakt e hap dueli mes Watfordit dhe Liverpoolit. “Të kuqtë” e drejtuar nga Jurgen Klopp do të luajnë në udhëtim tek ekipi që është bërë me trajner të ri.

Pikërisht Claudio Ranieri është trajneri i ri i Watfordit, e i cili i ka fituar katër nga pesë ndeshjet e Premier Leagues në shtëpi kundër Liverpoolit. Watfordi në shkurt të vitit 2020 fituan 3:0 dhe e ndalën serinë e Liverpoolit me 44 ndeshje të njëpasnjëshme pa humbje në ligë, si dhe serinë e 18 fitoreve rresht. Kjo lojë luhet në orën 13:30 të shtunën.

Xhiroja e nëntë në elitën e futbollit anglez mbyllet të hënën me takimin Arsenal-Crystal Palace, që nis në orën 21:00.