Sport

Edhe tifozët polakë hodhën gjësende në “Air Albania”

Edhe pse ndeshja Shqipëri-Poloni u ndërpre për rreth 15 minuta pasi në drejtim të golashënuesit të vetëm polak u hodhën gjësende nga tifozët, një fotografi e Associated Press ka treguar se hedhje gjësendesh pati edhe nga tifozët mysafirë.

Një fotografi ka treguar qartë një tifoz polak që hedh një shishe të mbushur në drejtim të tifozëve shqiptarë në stadiumin “Air Albania”.

“Një tifoz polak gjuan një shishe në drejtim të tifozëve shqiptarë gjatë ndeshjes kualifikuese për Botërorin 2022, pjesë e Grupit I kualifikues në ndeshjen mes Shqipërisë dhe Polonisë në stadiumin ‘Air Albania’ në Tiranë”, thuhet në përshkrim të fotografisë nga agjencia prestigjioze e lajmeve.

Shqipëria të martën pësoi 1:0 në shtëpi, në ndeshjen që konsiderohej finale për kuqezinjtë, pasi një fitore do ta afronte tejet shumë te barazhi për “Botëror”.

Golin e vetëm e shënoi rezervisti Karol Swiderski. Ai shfrytëzoi një vendosje jo të mirë të mbrojtjes së Shqipërisë dhe shënoi golin e vetëm në minutën e 77-të.