Sport

Varane lëndohet në finalen e Ligës së Kombeve

Mbrojtësi i Manchester Unitedit, Raphael Varane, është zëvendësuar në fundin e pjesës së parë në finalen e Ligës së Kombeve ndërmjet Francës dhe Spanjës.

28-vjeçari u ul në fushë duke e mbajtur këmbën e tij dhe u zëvendësua nga Dayot Upamecano në minutën e 43-të.

Varane ishte titullar në gjashtë ndeshje të Unitedit këtë sezon. Nuk dihet ende sa do të mungojë Varane, teksa trajnerit Ole Gunnar Solskjaer i mungon edhe mbrojtësi Harry Maguire që vuan nga problemi në pulpë.

Ndeshja e radhës për Unitedin do të jetë në fundjavën e ardhshme në udhëtim te Leicester City në Premier League.

Pavarësisht lëndimit të Varanes, Franca mposhti Spanjën 2:1 dhe e fitoi Ligën e Kombeve.