Sport

Shqipëria kërkon suksesin ndaj Hungarisë për të vazhduar ta ëndërrojë Botërorin

Muajin e kaluar, Shqipëria arriti dy fitore të njëpasnjëshme, me gjashtë gola të shënuar e pa asnjë të pranuar. Tri fitore rresht në kualifikime të Botërorit, Shqipëria nuk i ka shënuar asnjëherë.

Në duelin e fundit, Shqipëria mposhti San Marinon, përfaqësuesen e renditur më së dobëti në ranglistën e FIFA-s. Në duelin e parafundit e arriti një prej fitoreve më të rëndësishme. Fitoi 1:0 kundër Hungarisë, që ishte fitorja e parë ndaj kësaj përfaqësueseje.

Pikërisht kundër Hungarisë, Shqipëria do të luajë të shtunën në Budapest, nga ora 20:45.

Formën e mirë të arritur në Grupin I të kualifikimeve, Shqipëria do të mundohet ta shfrytëzojë në dy duelet e tetorit, që janë më të rëndësishmet në tentim për të siguruar vendin e dytë në grup. Vendi i dytë dërgon në plejof.

Shqipëria aktualisht renditet e dyta me 12 pikë pas gjashtë ndeshjeve. E ka një pikë më shumë se Polonia e vendit të tretë dhe dy më shumë se Hungaria e vendit të katërt. Andorra ka tri pikë në vendin e pestë, kurse San Marino është pa pikë. Prin Anglia me 16 pikë.

Të premten në konferencën për shtyp kanë dalë përzgjedhësi Edoardo Reja dhe kapiteni Etrit Berisha.

Përzgjedhësi Reja theksoi se kjo është njëra prej ndeshjeve më të rëndësishme deri tani. Ai shtoi se të gjitha duelet për të janë finale.

“Duam të vazhdojmë të mbajmë gjallë këtë ëndërr të madhe për të qëndruar në vendin e dytë deri në fund. Nëse humbim, dalim jashtë objektivave. E dimë shumë mirë forcën e Hungarisë. Ne po kalojmë një moment pozitiv, kemi shumë siguri në ekip. Jemi këtu për të bërë një ndeshje të madhe. Për të qëndruar në vendin e dytë duhet të fitojmë nesër”, ka thënë Reja.

Reja nuk dha ndonjë informatë se kush mund të luajë kundër Hungarisë. Ai tha se për këtë do të vendosë të shtunën.

Edhe Hungaria udhëhiqet nga një trajner italian. Përzgjedhës i Hungarisë është Marco Rossi. Rossi ka parashikuar se vetëm një gol mund ta vendosë gjithë ballafaqimin.

“Duhet të shfrytëzojmë të gjitha mundësitë që na jepen dhe të jemi të aftë të ndryshojmë mënyrën e lojës. Do të jetë ndryshe nga ndeshja e parë. Duke njohur trajnerin e tyre italian, Rossi, kam një përshtypje për mënyrën se si do të luajnë hungarezët”, theksoi Reja.

Ballafaqimi kualifikues për Botëror ndërmjet Hungarisë dhe Shqipërisë në stadiumin “Pushkash Arena” do të zhvillohet pa praninë e shikuesve. Hungaria është e dënuar për racizëm dhe tifozët nuk do të lejohen në shkallët e stadiumit.

Kapiteni i skuadrës kuqezi, Etrit Berisha, ka thënë se futbolli luhet për tifozë, por që edhe pa praninë e tyre nuk do të jetë problem i madh.

“Të them të drejtën kemi luajtur për dy vjet pa tifozë dhe me siguri ishte trishtim të luanim pa ta. Tani që sapo u kthyen në stadiume, sërish do të luajmë pa tifozë. Futbolli është për tifozët dhe një fitore në praninë e tyre do të ishte e madhe. Kënaqemi më shumë. Sidoqoftë, jemi të përqendruar në ndeshje dhe nuk mendojmë shumë në këtë aspekt. Mendojmë ta bëjmë më të mirën dhe të marrim fitoren”, tha Berisha në konferencën për media.

Berisha shpreson se me pikët e plota të marra kundër Hungarisë, gjithçka do të bëhej më e lehtë për duelin ndaj Polonisë.

Takimin me Poloninë, Shqipëria e zhvillon më 12 tetor në stadiumin “Air Albania” në Tiranë.

Shqipëria asnjëherë nuk është kualifikuar në Kupë të Botës, ndërsa Hungaria që është dy herë finaliste e Botërorit, synon që të jetë pjesë e fazës finale për herën e parë që prej vitit 1986.