Sport

Kosova gati për ndeshjen në Suedi, pritet përkrahja nga tribunat

Descriptive Text

Formën e mirë që Përfaqësuesja e Kosovës e shfaqi gjatë ndeshjeve të muajit shtator, përzgjedhësi Bernard Challandes pret që lojtarët ta tregojnë edhe në duelin kundër Suedisë. Zvicerani Challandes në konferencën për shtyp të mbajtur të premten, ka thënë se Kosova duhet ta konfirmojë formën edhe në ndeshjen që do të luhet në stadiumin “Friends Arena” në Solna. Ndeshja Suedi - Kosovë luhet të shtunën nga ora 18:00 dhe i takon Grupit B të kualifikimeve për Kampionatin Botëror “Katari 2022”. Muajin e shkuar, Kosova luajti tri ndeshje - me Gjeorgjinë, Greqinë dhe Spanjën. Triumfoi ndaj Gjeorgjisë (1:0), barazoi me Greqinë (1:1) dhe u mposht nga Spanja (2:0). Aktualisht, zë vendin e katërt në grup me katër pikë, pesë më pak se Suedia që renditet e dyta dhe ka një ndeshje më pak të luajtur. Challandes pas konferencës e ka mbajtur stërvitjen e fundit me ekipin në stadiumin ku Kosova do të përballet me Suedinë, ekip që do të ketë mungesa të mëdha.

Kosovës për herë të parë që nga grumbullimi iu bashkua sulmuesi i krahut, Lirim Kastrati që është pjesë e Legias së Varshavës. Kastrati u bashkua me ekipin të enjten pasdite, kurse në Solna mbajti stërvitjen e parë me pjesën tjetër të grupit, që ka punuar nga e hëna në Prishtinë. Ai u stërvit i diferencuar prej grupit. Ardhja e Kastratit deri në momentet e fundit nuk ka qenë e sigurt për shkak të një lëndimi në gju. Megjithatë, ai me të marrë dritën jeshile nga klubi i tij pas ekzaminimeve të bëra, i është bashkuar pjesës tjetër të ekipit.

Stërvitja e fundit ka qenë me intensitet më të ulët dhe kryesisht u ka shërbyer lojtarëve për t’u ambientuar me fushën, teksa përzgjedhësi Challandes ka dhënë edhe këshillat e tij për lojën që duhet aplikuar kundër suedezëve, thuhet në njoftimin e Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK).

Përzgjedhësi Challandes ka pranuar se nuk do të jetë aspak lehtë kundër Suedisë, por ka shtuar se ekipi është i gatshëm.

“Do të luajmë kundër një ekipi të fortë. Kemi luajtur në shtator ndeshje të mira dhe duam ta konfirmojmë formën që e kemi pasur në shtator. Është e qartë që Suedia është kundërshtar shumë i fortë dhe këtë e ka treguar në të gjitha ndeshjet që ka luajtur, përfshirë edhe Kampionatin Evropian. Presim një ekip shumë të fortë në aspektin fizik, por edhe në aspektin individual, sepse ka lojtarë që mund ta bëjnë dallimin në ndeshje”, është shprehur Challandes. “Edhe për këtë ndeshje ka presion sikurse në çdo ndeshje tjetër. Do të luajmë kundër një ekipi që në të njëjtin stadium e ka mposhtur Spanjën dhe presioni është normal jo vetëm në ekipin tonë, por te çdo skuadër tjetër. Suedia ka përvojë dhe ka luajtur në shumë turne të mëdhenj. Po ashtu, lojtarët e Suedisë kanë luajtur edhe në Ligën e Kampionëve. Kështu që, për ta dueli me Kosovën është normal. Nuk është problemi nëse jam optimist apo pesimist para ndeshjes. Unë kam besim në ekipin tim, por jam edhe realist. Ne jemi Kosova dhe përballë kemi Suedinë që ka luajtur në Kampionate Botërore e Evropiane. Unë besoj që Suedia ia ka frikën Kosovës, por nuk mund ta them këtë”.

Suedia për këtë ndeshje do të jetë pa yllin kryesor, Zllatan Ibrahimoviq. Ibra ishte ftuar për ndeshjet e këtij muaji, por nuk iu bashkua Suedisë për shkak se ende nuk është rikuperuar nga lëndimi që i ka nxjerrë telashe këtë sezon. Ndërkohë, kundër Kosovës, Suedia pritet të jetë edhe pa kapitenin Victor Lindelof, që për arsye familjare nuk është bashkuar në grumbullim. Kapiten i Suedisë ndaj Kosovës do të jetë mesfushori Albin Ekdal. Sa i përket mungesave, Challandes ka thënë se Suedia sërish mbetet ekip i fortë.

“Nuk mund të them nëse Suedia është më e mirë apo më e dobët pa Ibrahimoviqin. Mund të them se është një ekip tjetër me Ibrën dhe pa të. Në Prishtinë luajtëm kundër Ibrahimoviqit dhe ai pati një paraqitje të mirë duke u treguar si lojtar i rëndësishëm. Ne patëm vështirësi ndaj Suedisë me Ibrahimoviqin. Por, edhe pa të në sulm, do të jetë sërish vështirë për ne. Victor Lindeloff është kapiten i Suedisë dhe lojtar shumë i mirë. Por edhe nëse mungon, Suedia ka shumë lojtarë tjerë të mirë. Nëse një lojtar është shumë i rëndësishëm për Suedinë, atëherë Suedia nuk është Suedia. Nuk mendoj që është ndonjë mungesë e madhe, sepse nuk do të jetë pastaj ekipi që e njohim në botën e futbollit”, ka shtuar Challandes. “Suedia ka sulmues shumë të mirë, siç është Dejan Kulusevski, Alexander Isak e Emil Forsberg. Janë shumë lojtarë cilësorë dhe mund ta bëjnë dallimin. Suedia është një ekip kompakt, por në radhët e veta ka shumë lojtarë kreativë. Suedia në Kampionatin Evropian u dëshmua si një kundërshtare shumë e fortë dhe për këtë arsye e vlerësoj si ekip”.

Edhe portieri Arijanet Muriq ka insistuar se Kosova është gati për duelin me Suedinë. Sikurse përzgjedhësi Challandes, Muriq beson se “Dardanët” mund ta dëshmojnë formën e mirë të muajit të shkuar edhe ndaj suedezëve.

“Jemi të emocionuar dhe me padurim presim ndeshjen me Suedinë, jemi përgatitur mirë dhe shpresoj të tregojmë paraqitje të mirë. Pas ndeshjeve të shtatorit jemi kthyer me më shumë vetëbesim dhe mendoj që dyja ekipet do të kenë rastin të tregojnë paraqitje të mira. Do të përpiqemi të luajmë lojën tonë si gjithmonë. Suedia edhe pa Zllatanin mbetet e fortë dhe do të shohim si do të shkojnë gjërat në fushë. Pavarësisht mungesave, Suedia mbetet ekip shumë i fortë”, është shprehur Muriq.

Ndeshja e parë e luajtur në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, pati përfunduar me fitoren e Suedisë 3:0. Tri ditë pas ndeshjes me Suedinë, Kosova në Prishtinë e pret Përfaqësuesen e Gjeorgjisë që zë vendin e fundit në tabelë me një pikë. Grupit i prin Spanja me 13 pikë.

Ndeshja në Solna luhet në stadiumin e mbushur me shikues. Një pjesë e konsiderueshme e tyre pritet të jenë shqiptarë.

“Një pjesë e madhe e tifozëve do të jenë zë i fuqishëm dhe motivues për ekipin tonë kombëtar”, ka njoftuar FFK-ja.