Sport

Shaqiri flet për ndeshjen me Irlandën Veriore

Descriptive Text

Kapiteni i ri i Përfaqësueses së Zvicrës, Xherdan Shaqiri, dhe përzgjedhësi i “helvetikëve”, Murat Yakin, kanë mbajtur konferencë për shtyp.

Të premten në prag të ndeshjes së Zvicrës kundër Irlandës Veriore, Shaqiri dhe përzgjedhësi Yakin kanë thënë se presin që të marrin pikët e plota nga dueli i radhës kualifikues për Botërorin e vitit të ardhshëm.

“Si ekip i klasit botëror, duhet të fitojmë ndeshje të tilla në shtëpi”, ka thënë Shaqiri me vetëbesim. Vetëbesimi është shumë i rëndësishëm. Duhet të veprojmë me ndikim të madh. I njoh disa lojtarë që kanë luajtur në Premier League. Do të kemi vështirësi në krah, por duhet të krijojmë më shumë shanse për shënim dhe çdo lojtarë duhet të paraqitet mirë”, ka thënë Shaqiri.

Ndeshja e parë ndërmjet Irlandës Veriore dhe Zvicrës u mbyll pa gola.

“Irlanda Veriore ka nevojë për pikë dhe nuk do të pres e të mbrohet. Edhe neve na duhen pikët. Të shtunën do të jetë ndeshje vendimtare për vendin e dytë”, ka thënë përzgjedhësi i zviceranëve.

Në Grupin C kualifikues prinë Italia me 14 pikë pas gjashtë ndeshjeve. E dyta është Zvicra me tetë pikë në katër ndeshje, tri më shumë se Irlanda Veriore dhe Bullgaria. Kjo e fundit ka një ndeshje më shumë të zhvilluar. Pas pesë ndeshjeve në vendin e fundit është Lituania, pa pikë.