Sport

Deschamps tregon pse nuk e kishte thirrur Hernandezin

Përzgjedhësi Didier Deschamps ka insistuar se ai gjithmonë ka menduar për Theo Hernandezin, por ka shtuar se mbrojtësi i Milanit duhet të përmirësohet në fazën e mbrojtjes.

Ylli i “rossonerëve” e zhvilloi vetëm ndeshjen e tij të dytë me Francën të enjten në mbrëmje dhe ndihmoi francezët të fitojnë 3:2 kundër belgëve me golin e shkëlqyer në fundin e ndeshjes. Ishte goli i tij i parë me Francën.

Franca fitoi me rikthim kundër Belgjikës 3:2 në gjysmëfinale të Ligës së Kombeve dhe në finale do të ballafaqohet me Spanjën të dielën.

“Gjithmonë e kam përfshirë atë në listën preliminare por ka shumë konkurrencë. Kam menduar për të gjithmonë. Ai po luan mirë dhe po vazhdon formën e mirë, megjithatë, ai duhet të përmirësohet në fazën e mbrojtjes”, theksoi Deschamps për “Sport Mediaset”.

Theo iu bashkua Milanit nga Real Madridi për 20 milionë euro në vitin 2019. Ka shënuar 16 gola dhe 17 asistime në 90 paraqitje me gjigantin italian.

Debutoi me Francën në fitoren 2:0 kundër Finlandës në kualifikimet e Botërorit.