Sport

Pronësitë që kanë ndryshuar historinë e futbollit

Shitja e skuadrës Newcastle United te një konsorcium i mbështetur nga Arabia Saudite tashmë ka përfunduar. Bëhet fjalë për një marrëveshje që pritet ta kthejë klubin autsajder në një klub të fuqishëm në Premier League. Por, nuk është marrëveshja e parë e këtij lloji - që një klub rritet shpejt e fuqishëm falë parave të derdhura nga pronarët e rinj.

Më poshtë paraqesim skuadrat që kanë pësuar rritje meteorike pasi janë futur në pronësi të të pasurve, të cilët kanë ndryshuar historinë e klubeve, por edhe të vetë futbollit.

PSG-ja qëndron në krye të Evropës

Paris Saint-Germaini kishte fituar vetëm dy tituj të ligës franceze para se të futej në pronësinë e kompanisë “Katar Sports Investments” në vitin 2011. Që atëherë, PSG-ja është bërë mbret i padiskutueshëm i futbollit francez, duke fituar shtatë nga nëntë titujt e fundit të Ligue 1 dhe duke ngritur kupat tjera të futbollit në Francë. David Beckham, Zlatan Ibrahimoviq dhe Angel Di Maria ishin në mesin e një vërshimi të transferimeve të profilit të lartë pasi PSG-ja riformatoi futbollin francez në imazhin e saj.

Klubi përmbysi në mënyrë mahnitëse hierarkinë e vendosur në Evropë, duke shkëputur yllin brazilian, Neymar, nga aristokratët tradicionalë të Barcelonës për një dëmshpërblim rekord prej 222 milionë eurosh në vitin 2017. Megjithatë, suksesi në Ligën e Kampionëve mbetet i pakapshëm për ekipin francez. Trajnerët Carlo Ancelotti, Laurent Blanc, Unai Emery dhe Thomas Tuchel nuk arritën t’i kënaqin pronarët vetëm me dominimin vendor. PSG-ja tregoi se është vendosur në elitën e re duke nënshkruar me fituesin e gjashtëfishtë të “Topit të Artë”, argjentinasin Lionel Messi këtë vit, ndërsa pronarët nga Katari vazhdojnë kërkimin për të pushtuar futbollin botëror.

City, “fqinji i zhurmshëm”

Kur kompania “Abu Dhabi United Group” e Sheikut Mansour përfundoi blerjen e Manchester Cityt për 280 milionë euro në vitin 2008, Mark Hughes ishte trajner, braziliani Jo ishte sulmuesi kryesor dhe Stephen Ireland u shpall ylli i ardhshëm i skuadrës. I mbetur nën hijen e Manchester Unitedit për dekada, City ishte aq i zbehtë sa Vincent Kompany tha se tualeti i dhomës së zhveshjes në kompleksin e tyre të stërvitjes nuk kishte as derë.

Por, kthimi në “fqinjin e zhurmshëm” dhe makthin e Alex Fergusonit filloi vetëm disa orë pas marrjes nën kontroll të Cityt nga pronarët e rinj, të cilët tronditën botën e futbollit me transferimin e yllit të Brazilit, Robinho. City fitoi Kupën FA në vitin 2011 dhe një vit më vonë Sergio Aguero rrëmbeu titullin nga Unitedi me golin e shënuar në kohën shtesë kundër QPR-së në ditën e fundit të sezonit. City siguroi një titull tjetër të Premier Leagues më 2014. Shpenzimet e mëdha për transferimin e yjeve, përfshirë lojtarët si Kevin De Bruyne dhe Raheem Sterling, siguruan që City të mbetet skuadra për t’u mposhtur. Emërimi i Pep Guardiolas në krye të ekipit në vitin 2016 e ngriti Cityn në një nivel edhe më të lartë dhe ekipi ka fituar tre nga katër titujt e fundit në Premier League.

Revolucioni rus i Chelseat

Oligarku rus, Roman Abramovich, e bleu Chelsean për 200 milionë euro në vitin 2003 dhe shkaktoi një ndryshim sizmik në pushtet në Premier League. Manchester Unitedi dhe Arsenali ishin forcat më të shquara të Anglisë, por kjo ndryshoi kur, siç kujtoi me keqardhje nënkryetari i Arsenalit, David Dein, Abramovich “parkoi tanket e tij ruse në lëndinën tonë dhe gjuajti 50 kartëmonedha kundër nesh”.

Paratë e Abramovichit siguruan Jose Mourinhon në vitin 2004 dhe financuan krijimin e një ekipi për të dominuar në Premier League. Mourinho fitoi titullin në sezonin e tij të parë, duke i dhënë fund pritjes 50-vjeçare të Chelseat për t’u kurorëzuar me këtë trofe, të cilin e fitoi edhe 12 muaj më vonë.

Carlo Ancelotti dha më shumë lavdi në Premier League në vitin 2010 dhe Mourinho u kthye për të fituar titullin e tij të tretë në vitin 2015 para se Antonio Conte të fitonte titullin e pestë anglez të epokës Abramovich në vitin 2017. Paratë e Abramovichit e çuan Chelsean në triumfin e parë në Ligën e Kampionëve në vitin 2012, kur londinezët mposhtën në finale Bayernin. Londinezët fituan një kurorë të dytë kontinentale në vitin 2021 duke mposhtur fqinjin tjetër të madh shpenzues, Manchester Cityn në finale.