Sport

Kosova me dy xhudiste në Botërorin e juniorëve

Prej të mërkurës e deri të dielën në Olbia të Italisë mbahet Kampionati Botëror i xhudos për juniorë. Në këtë ngjarje të madhe për xhudistët e rinj merr pjesë edhe Kosova.

Trajneri i Kosovës, Driton Kuka, ka dërguar në Botëror dy xhudistet perspektive, Erza Muminoviq e Fationa Kasapi.

Erza garon menjëherë të mërkurën në kategorinë deri 52 kilogramë. Ndërkohë, Fationa garon të enjten, në kategorinë deri 57 kilogramë.

Erza nuk është në mesin e bartëseve, është e nënta e ranguar prej pjesëmarrëseve. Por, shpresat janë se ajo mund të fitojë medalje. Më 9 shtator ajo fitoi medaljen e bronztë në Evropianin për juniorë të mbajtur në Luksemburg. Ka titull të Evropës për kadete, nga viti 2018 dhe medalje bronzi në Lojërat Olimpike për të rinj. 19-vjeçarja është ende në pritje të shpërthimit në nivelin e të rriturave.

Fationa Kasapi renditet e 22-ta prej pjesëmarrëseve në kategorinë deri 57 kilogramë. Kjo 19-vjeçare vlerësohet me potencial, por nuk ka fituar ende medalje të madhe.

“Nëse është në ditë të mirë, Erza ka gjasa për plasman të lartë. Fationa e ka shortin e vështirë, ndërsa ende është duke kërkuar formën e saj”, ka thënë trajneri Kuka.

Me xhudistet në Itali është asistenti i Kukës, Fatos Tabaku.

Gjithsej në Botëror po marrin pjesë 495 xhudistë nga 72 shtete të ndryshme.