Sport

Xherdan Shaqiri bën thirrje për vaksinim kundër koronës dhe lavdërohet nga mediat zvicerane

Xherdan Shaqiri

Për dallim nga Granit Xhaka, futbollisti i kombëtares së Zvicrës Xherdan Shaqiri ka bërë thirrje për vaksinim kundër koronës – me tri fjalë: “Unë jam i vaksinuar”. Dhe ka shtuar se futbollistët duhet të jenë shembull për mërgimtarët.

Para disa javësh, kur numri i të infektuarve me virusin korona në Zvicër po rritej dhe një pjesë e konsiderueshme e të infektuarve ishin nga Ballkani, autoritetet zvicerane i bënë thirrje Federatës së Futbollit që të lejojë futbollistët e kombëtares të bëjnë apel publik për vaksinim. Federata kërkoi para për këtë dhe u ballafaqua me kritika të ashpra.

Tani Xherdan Shaqiri, i veshur me dresin e klubit të ri Lyonit të Francës, ka postuar një fotografi në Instagram me një mesazh të thjeshtë: “Unë jam i vaksinuar”. Në këtë aksion po marrin pjesë edhe futbollistët Andi Zeqiri, Breel Embolo, Christian Fassnacht, Renato Steffen dhe Silvan Widmer. Të gjithë këta futbollistë i janë bashkuar fushatës së entit federal të shëndetësisë. Federata e Futbollit e ka ndryshuar mendjen dhe i ka ndihmuar entit të shëndetësisë për të kontaktuar futbollistët që duan të marrin pjesë në fushatën për vaksinim.

Aksioni i Shaqirit është pritur mirë nga mediat zvicerane. Për dallim nga Granit Xhaka, i cili nuk është vaksinuar kundër koronës dhe ishte infektuar me virus, ndërsa tani për shkak të lëndimit nuk luan për Zvicrën, Shaqiri ka zgjedhur një rrugë tjetër. Duke arsyetuar apelin e tij për vaksinim Shaqiri tha: “Ne lojtarët jemi shembull për mërgimtarët”.

ndeshjet kualifikuese për kampionatin botëror kundër Irlandës së Veriut (të shtunën) dhe kundër Lituanisë (të martën) Shaqiri, si zëvendës i Xhakës, do të jetë kapiten i kombëtares së Zvicrës. Vitin e kaluar Shaqiri ishte infektuar me koronavirus. Ai tha se vaksinimi është i “mirë për çdokënd”. Shaqiri tha se me Xhakën nuk ka folur lidhur me vaksinimin dhe shtoi se secili duhet të vendosë vetë. Por, sipas Shaqirit, më e rëndësishmja është që të bëhet vaksinimi.