Sport

Kosova nis përgatitjet pa pesë lojtarë

Descriptive Text

Prishtinë, 4 tetor - Përfaqësuesja e Kosovës në futboll ka nisur pa pesë lojtarë përgatitjet për ndeshjet e këtij muaji. “Dardanëve” në stërvitjen e parë, të zhvilluar të hënën mbrëma në “Fadil Vokrri”, u mungojnë Milot Rashica, Florent Hadërgjonaj, Herolind Shala, Bersant Celina dhe Lirim Kastrati.

Ardhja e Kastratit është në dyshim për shkak të një lëndimi, ndërsa katër të tjerët do t’i bashkohen përfaqësueses në stërvitjen e së martës.

Kosova të shtunën luan në udhëtim ndaj Suedisë, kurse më 12 tetor e pret Gjeorgjinë në “Fadil Vokrri”.

Ndeshjet u takojnë kualifikimeve për Botërorin “Katari 2022”.

Për herë të parë në stërvitje me përfaqësuesen e futbollit ishte mesfushori që luan për Vitessen në Holandë, Toni Domgjoni. Por, Domgjonit i duhet leja nga FIFA për të qenë i gatshëm të luajë për Kosovën. Ai deri në mars ka luajtur për U-21 të Zvicrës.

Amir Rrahmani, Elbasan Rashani, Vedat Muriqi, Visar Bekaj, Fidan Aliti dhe Mirlind Kryeziu punuan ndaras nga grupi për shkak të angazhimit me klubet e tyre të dielën. Ndaras ushtroi edhe Toni Domgjoni.

Në stërvitje ishte Astrit Selmani, i cili vetëm tani ka të drejtë të paraqitet për Kosovën. Sulmuesi i Hammarbyt të Suedisë ishte i grumbulluar edhe për ndeshjet e shtatorit, por nuk pati të drejtë loje për shkak se nuk kishte shtetësi dhe pasaportë të Kosovës.

Futbollistët nuk patën ngarkesë të madhe në stërvitjen e parë. Pjesa e parë e stërvitjes nisi me nxehje, ndërsa vazhdoi me ndarjen e lojtarëve në pozitat ku aktivizohen në fushë. Pati kombinime të ndryshme si nga pjesa ofensive ashtu edhe ajo defensive.

I qetë në stërvitje ishte selektori Bernard Challandes, ndërsa ndihmësit e tij kryenin shumicën e punëve të caktuara nga zvicerani.

Në konferencën e mbajtur në mëngjesin e së hënës, Challandesi porositi futbollistët e tij të angazhohen maksimalisht për ndeshjet e këtij muaji, kundër Suedisë dhe Gjeorgjisë. Kërkoi që të jenë të disiplinuar në fushë gjatë ndeshjeve, por edhe gjatë stërvitjes.

Me intensitet më të lartë, futbollistët e Kosovës pritet të stërviten në ditët në vazhdim. Të gjitha stërvitjet para udhëtimit për në Suedi është paraparë të zhvillohen në “Fadil Vokrri”, ku Kosova i luan të gjitha ndeshjet si vendase.

Futbollistët e përfaqësueses do të kenë stërvitje edhe në dy ditët e ardhshme në Prishtinë. Shumë prej tyre as për së afërmi nuk janë në pikën më të ndritur të karrierës. Në krahasim me periudhën para ndeshjeve të shtatorit, pak gjëra kanë ndryshuar për të mirë, sa i takon gjendjes së lojtarëve në skuadrat e tyre.

Kosova është në vendin e katërt të Grupit B me katër pikë nga pesë ndeshje të zhvilluara. Lidere është Spanja me 13 pikë në gjashtë ndeshje të luajtura, kurse Suedia është në vendin e dytë me nëntë pikë nga katër ndeshje. Greqia është në vendin e tretë, kurse Gjeorgjia renditet e fundit.