Sport

Donnarumma: Te PSG-ja u transferova për të luajtur

Portieri i Italisë, Gianluigi Donnarumma, ka thënë se te Paris Saint-Germaini ka shkuar për të qenë titullar, ndërsa ka bërë të ditur se në zemrën e tij gjithmonë do të jetë tifoz i Milanit.

Donnarumma te PSG-ja u transferua nga Milani në verën e këtij viti si lojtar i lirë. Portieri 22-vjeçar ka luajtur katër ndeshje që kur iu bashkua skuadrës franceze. Italia të mërkurën luan në “San Siro” ndeshjen gjysmëfinale kundër Spanjës në kuadër të Ligës së Kombeve.

“Jam i emocionuar që kthehem të luaj në San Siro. Milani është pjesë e rëndësishme e jetës sime. Unë gjithmonë do të jem tifoz i Milanit. Te PSG-ja kam shkuar për të luajtur rregullisht”, ka thënë, ndër të tjera, në konferencën për media gjatë grumbullimit me Italinë. Donnarumma me Italinë fitoi Evropianin që u mbajt këtë verë.