Sport

Premier League nis e mbyllet me derbi në fundjavë

Premier League në fundjavë do të jetë e zjarrtë në prag të pushimit të ligave evropiane për shkak të ndeshjeve të përfaqësueseve në kualifikimet e Botërorit.

Xhiroja e shtatë në elitën e futbollit anglez nis me duelin interesant ndërmjet Manchester Unitedit e Evertonit nga ora 13:30 të shtunën, dhe mbyllet të dielën me derbin e zjarrtë ndërmjet Liverpoolit dhe Manchester Cityt, që nis në orën 17:30.

Në fakt, do të jetë duel i kampionëve të dy edicioneve të fundit në Premier League.

Edhe sivjet pritet të jetë garë e ngushtë deri në fund për titull. Liverpooli, aktualisht kryeson me 14 pikë, një më shumë se City, Chelsea, Unitedi, Evertoni dhe Brightoni.

Në mesjavë këto skuadra patën rezultate të ndryshme në Champions. Liverpooli fitoi me lehtësi kundër Portos 5:1, ndërsa City u mposht nga PSG-ja 2:0.

Manchester City fitoi në sezonin e kaluar në udhëtim te Liverpooli 4:1 dhe e ndali serinë e 17 ndeshjeve rresht pa fitore në “Anfield”. Kishte pesë barazime e 12 disfata.

Por dy fitore rresht nuk i ka shënuar si mysafir i Liverpoolit në ligë prej vitit 1953. Një gjë të tillë mund ta arrijë pas 68 vjet pritjeje.

Stadiumi i mbushur plot me tifozë të Liverpoolit do të jetë ndihmesë e madhe për vendësit. Mohamed Salah mbetet njeriu më i rrezikshëm për Cityn. Egjiptiani është përfshirë në gjashtë gola në pesë paraqitjet e tij kundër Cityt në “Anfield” në të gjitha garat, me katër gola e dy asistime.

Raheem Sterling i Cityt, ish-lojtar i Liverpoolit, është futbollisti tjetër ku duhet pasur vëmendje. Sterling ka shënuar në dy prej tri ndeshjeve të fundit në Premier League kundër Liverpoolit.

Kampioni i Evropës, Chelsea, që u mposht në mesjavë nga Juventusi në Ligën e Kampionëve, të shtunën nga ora 16:00 e pret Southamptonin në “Stamford Bridge”.

e vetme në Premier League, që ende nuk ka marrë pikë është Norwichi, ku luan Milot Rashica, reprezentuesi i Kosovës. Rashica me Norwichin do t’i kërkojë pikët e para të sezonit në udhëtim te Burnely, të shtunën në orën 16:00.