Sport

Messi zgjodhi Cityn për të nisur shkëlqimin te PSG-ja

Ishte momenti që tifozët me të vërtetë po e prisnin që kur Lionel Messi u prezantua si lojtar i Paris Saint-Germainit gati dy muaj më parë. Argjentinasi ishte paraqitur vetëm në mënyrë kalimtare për klubin e tij të ri dhe nuk kishte shënuar asnjë gol, por ai zgjodhi momentin për ta dëshmuar veten kur shpërtheu në ndeshjen kundër Manchester Cityt në kuadër të Ligës së Kampionëve. Ishte një gol i argjentinasit që dyfishoi epërsinë e PSG-së (2:0) kundër skuadrës së Pep Guardiolas në minutën e 74-të, duke siguruar një fitore që dërgon një mesazh për pjesën tjetër të Evropës, qysh në start të këtij sezoni. Fituesi i gjashtëfishtë i “Topit të Artë” po kalonte një mbrëmje të qetë derisa mori posedimin e topit brenda gjysmës së fushës të Cityt para se të nisej drejt portës.

Ai përballoi Aymeric Laporten dhe bashkëveproi me Kylian Mbappen para se të dërgonte topin në pjesën e epërme të portës me një gjuajtje nga jashtë zonës. Guardiola, i cili e njeh shumë mirë Messin pasi ka punuar me të te Barcelona, e quajti “të pandalshëm” ish-nxënësin e tij.

“Unë zakonisht nuk i festoj golat, por në atë festova”, tha trajneri i PSG-së, Mauricio Pochettino, i cili ishte përballur me Messin në Spanjë kur ishte në krye të Espanyolit. “E kam parë atë të shënojë shumë herë më parë kur isha në stolin e ekipit kundërshtar, kështu që një herë isha në stolin e duhur dhe mund të festoja”.

Messi u largua nga Barcelona si golashënuesi më i mirë i të gjitha kohërave me 672 gola në 778 paraqitje, një rekord për një klub. Tani ai është duke funksionuar në Paris dhe turma që ishte e pranishme në stadiumin “Parc des Princes”, që nuk do ta harrojë mbrëmjen e së martës, do të shpresojë se ky ishte vetëm goli i parë i Messit me fanellën e PSG-së.

“Është e vërtetë që dëshpërimisht doja të shënoja golin tim të parë”, pranoi Messi, i cili ndaj Cityt bëri vetëm paraqitjen e katërt për ekipin e Pochettinos.

34-vjeçari erdhi në Paris me synimet e tij të forta për të fituar Ligën e Kampionëve, një trofe që ai e fitoi për herë të fundit me Barcelonën në vitin 2015. Një ekip që ka në radhët e veta lojtarët si Messi, Mbappe dhe Neymar - për të mos përmendur Angel Di Marian, i cili ishte i pezulluar ndaj Cityt - nuk mund të synojë asgjë më pak se triumfin në një garë që PSG-ja nuk e ka fituar kurrë. Shenjat e para këtë sezon nuk kanë qenë gjithmonë premtuese, me PSG-në që barazoi 1:1 në udhëtim te Club Brugge në ndeshjen e parë evropiane dhe u përball me kundërshtarë të kufizuar gjatë rrugës për tetë fitore nga tetë ndeshje në Ligue 1. Mirëpo, Messi beson se marrëdhënia e tij me Mbappen dhe Neymarin, e ashtuquajtura “MNM”, po zhvillohet dhe po forcohet gjithnjë e më shumë.

“Ndërsa ecim përpara ne do të njihemi më mirë me njëri -tjetrin”, tha ai.

Pochettino pranoi se ekipi i tij “vuajti” herë pas here, veçanërisht kur Raheem Sterlingu dhe Bernardo Silva goditën shtyllën njëri pas tjetrit për Cityn në pjesën e parë. Është hera e parë që PSG-ja, në pronësi të Katarit ka mundur ndonjëherë Cityn e mbështetur nga Abu Dhabi, pasi u mposht në çerekfinale të vitit 2016 dhe më pas në gjysmëfinalen e sezonit të kaluar. City tani është një pikë prapa Parisit dhe Club Brugget, në grupin e tyre të Ligës së Kampionëve, por dy fuqitë kryesore financiare të lojës moderne evropiane do të vazhdojnë me siguri përtej fazës së grupeve. Guardiola do të jetë i lumtur që nuk ka pse të shqetësohet për të luajtur përsëri kundër Messit deri në ndeshjen e kthimit në nëntor, megjithatë në shumë mënyra kjo ishte ndeshja më pak e rëndësishme e javës për Cityn. Pas fitores vikendin e shkuar në udhëtim te Chelsea në kuadër të Premier Leagues, City këtë vikend do të luajë në udhëtim kundër Liverpoolit, që është lider në tabelë.

“Ne luajtëm një lojë të mirë me personalitet, por nuk mundëm të shënonim një gol. Menjëherë, fokusi do të jetë te ndeshja e së dielës kundër Liverpoolit”, tha Guardiola.