Sport

Nico Gonzalez, Busquetsi i ri që doli nga “La Masia”

Është një kohë transicioni te Barcelona. Në të vërtetë ka qenë për ca kohë, por mënyra në të cilën Lionel Messi ishte në gjendje ta maskonte atë dhe ta mbante Barcelonën në garë duke luftuar për trofe, është dëshmi e aftësisë së tij supreme. Me Messin tashmë të larguar, është e qartë se sa i madh është projekti i rindërtimit që duhet ndërmarrë për ta kthyer Barcelonën në krye të futbollit.

Zëvendësimet duhet të kërkohen për lojtarët kryesorë të dekadës së kaluar dhe me financa të limituara kthimi te të rinjtë është një mënyrë me kosto të ulët në përpjekje që të mbulohen boshllëqet dhe duke siguruar njëkohësisht që ekipi të ketë një lidhje me tifozët.

Në këtë drejtim gjërat kanë filluar mirë. Përpara dëmtimit të gjurit, Ansu Fati dukej trashëgimtari i Messit në çdo hap. Tani që ka marrë fanellën me numrin dhjetë, Fati pritet të marrë përgjegjësinë kur të kthehet plotësisht nga lëndimi në fushë. Ndërkohë, Pedri, edhe pse nuk është produkt i akademisë “La Masia”, është pothuajse Andres Iniesta i ri në mesfushë dhe ka shpresa që të tjerët, që kanë dalë muajt e fundit nga akademia do të zëvendësojnë përfundimisht emrat prestigjiozë.

Alejandro Balde është folur si pasardhësi afatgjatë i Jordi Albas në krahun e majtë. Krahasimet janë bërë mes Gavit dhe Xavi Hernandezit, ka shpresë se Yusuf Demir mund të jetë Neymari derisa Fati tashmë po shihet si pasues i Messit. Ndoshta një nga lojtarët më të vështirë për t'u zëvendësuar në vitet e ardhshme do të jetë Sergio Busquets, me mesfushorë defensivë të nivelit të tij që është vështirë të gjenden diku. Barça, megjithatë, beson se Nico Gonzalezi është produkti i “La Masias”, i cili përfundimisht mund “t’i mbathë ” këpucët e kapitenit të Spanjës, Busquets.

“Nëse kërkojmë përsosmëri te Barcelona, ​​Nico do të jetë zëvendësuesi i Busquetsit për shumë vjet”, thotë Francisco Xavier Garcia Pimienta, ish-trajneri i Barcelonës B, për 19-vjeçarin.

Garcia Pimienta ishte trajneri që i dha Nicos debutimin profesional. Ai bëri paraqitjen e parë për Barcelonën B në divizionin e tretë spanjoll me vetëm 17 vjet në vitin 2017. Që nga ajo kohë Nico u bë i rregullt në formacionin e rezervistëve, para se të bënte debutimin me ekipin e parë, në ndeshjen e parë të edicionit 2021/22 të Barcelonës kundër Real Sociedadit.

I biri i ish-mesfushorit legjendar të Deportivo La Corunas, Franit, Nico gjithmonë dukej i destinuar të bëhej futbollist, megjithëse hapat e tij të hershëm në këtë sport nuk ishin gjithmonë të qetë. Ai filloi edukimin futbollistik në klubin Montaneros, por nuk i pëlqente të luante në fushat e brendshme dhe pretendohet se kaloi gati një vit larg lojës para se të bindej të kthehej nga prindërit e tij. I aftë në lëvizjet e tij dhe duke luajtur me djem dy vjet më të mëdhenj, Nico përfundimisht filloi të gjente kënaqësi në lojë dhe si 11-vjeçar tërhoqi vëmendjen e Barcelonës, pasi bëri përshtypje duke luajtur kundër saj dhe Real Madridit në turne të të rinjve të mbajtur në qytetin bregdetar Vilagarcia de Arousa. Barça e tërhoqi Nicon, familja e tij u transferua në Katalonjë për të qenë pranë talentit, ndërsa ai filloi stërvitjen në “La Masia”, duke bërë rrugën e tij përmes ekipeve të grupmoshave të akademisë. Ai në fakt u bashkua me Barcelonën si një numër tetë, por u bë e qartë për trajnerët e tij vitet e fundit se Nico ishte më i përshtatshëm për të luajtur mesfushor defensiv, pjesërisht për shkak të fizikut të tij (188 cm) dhe cilësisë e besimit kur e kishte topin në posedim.

“Përkundër faktit se ai ka luajtur për shumë vjet si një mesfushor qendror, ne e kishim të qartë se ai ishte përfundimisht një mesfushor para mbrojtjes”, thotë Fran Artiga, i cili ishte trajner i Nicos gjatë gjithë kohës së tij në “La Masia”. “Ai është lojtar super inteligjent, jo vetëm në nivel futbolli, por edhe akademik. Ai është shumë i talentuar dhe kjo reflektohet në fushë. Ai do të ketë një proces të shpejtë mësimi”.

Ky proces do të përmirësohej vetëm duke pasur mundësinë për të mësuar nga Busquetsi, një nga më të mirët që kanë luajtur ndonjëherë në atë pozicion, me Nicon që ishte integruar në skuadrën e trajnerit Ronald Koeman gjatë verës. Koemani, në fakt, ka monitoruar adoleshentin për rreth një vit. U përfol se kishte pyetur për të, pasi e kishte parë Nicon duke luajtur për ekipin e të rinjve gjatë sezonit të shkuar. Barça duhej të luftonte për të mbajtur Nicon e talentuar para se ta lidhte atë me një kontratë të re trevjeçare në muajin korrik, që përfshin një klauzolë lirimi prej 500 milionë eurosh.

Manchester City, ku Fran më parë punonte si trajner i të rinjve, kishte shprehur interesim të madh për ta transferuar Nicon. Kjo nuk ishte hera e parë që klubet angleze shfaqën interes për ta rrëmbyer atë.

“Në moshën 16 -vjeçare ai kishte oferta mbresëlënëse për të shkuar në Premier League”, tha Fran, duke zbuluar se edhe Manchester Unitedi kishte shprehur interesim për të riun e talentuar.

Ai zgjodhi të qëndrojë në Spanjë dhe tani po synon ta lërë shenjën e tij në “Camp Nou”.

Vetëm në paraqitjen e dytë me ekipin e parë u veçua nga trajneri i Getafes, Michel Gonzalez, që tha se kishte luajtur rol kyç në fitoren 2:1 të Barcelonës. Gonzalez theksoi se fitoren Barça e siguroi vetëm pasi Nico u inkuadrua nga banka e rezervistëve për të “ngadalësuar ritmin e lojës”.

Ai pritet të fitojë mundësi të tjera, pavarësisht nëse Koemani qëndron si trajner i Barcelonës.

“Unë jam i bindur se ai do të jetë një lojtar i rëndësishëm. Ai do të ketë suksese, sepse e ka profilin e lojtarit të Barçës”, insistoi Pimienta.

Me këtë mendim pajtohet edhe Fran Artiga. Ai beson se Nico së shpejti do të jetë titullar i padiskutueshëm te Barcelona.

“Xavi dhe Iniesta u vendosën në ekipin e parë në moshën 23 ose 24-vjeçare, ndërsa Nico është vetëm 19 vjeç. I vetmi që i anashkaloi të gjitha këto procese te Barcelona ishte Messi dhe tani Nico”, tha ai. “Nico është teknikisht shumë i talentuar, inteligjent dhe ka një fizik perfekt. Me të, La Masia ka nxjerrë një futbollist fantastik që është i vetmi që mund ta zëvendësojë Busquetsin”.

Te Barcelona po shpresojnë të njëjtën gjë, që Nico të jetë pasardhësi natyral i Busquetsit. Nëse Nico vazhdon të dëshmohet këtë edicion, atëherë Barça ka zgjidhur një problem të madh duke e zëvendësuar njërin prej lojtarëve kyç të ekipit me produktin e akademisë, pa shpenzuar fare para për ta blerë diku tjetër.