Sport

Kosova nuk i trembet Norvegjisë, futbollistet premtojnë maksimumin me favoriten e grupit

Descriptive Text

Futbollistet e Kosovës e kanë kryer seancën e fundit stërvitore në stadiumin “Fadil Vokrri”, një ditë para ndeshjes kundër Norvegjisë. Në të njëjtën arenë, të hënën, janë stërvitur edhe futbollistet e Norvegjisë.

Përfaqësuesja e Kosovës të martën nga ora 19:00 do të përballet me përfaqësuesen norvegjeze, në kuadër të kualifikimeve për Kampionatin Botëror të vitit 2023, i cili do të mbahet në Australi dhe Zelandë të Re.

Norvegjia erdhi në kryeqytetin e Kosovës pas fitores së thellë që e arriti kundër Armenisë, 10:0.

Përkundër kësaj, përzgjedhësja e Kosovës, Afërdita Fazlija, ka deklaruar në konferencën për media se nuk kanë frikë nga Norvegjia. Sipas saj, Kosova është përgatitur maksimalisht për përballjen me norvegjezet. Ajo ka shtuar se nuk do të luajnë sikurse Armenia.

“Pas ndeshjes me Shqipërinë kishim tri ditë që të përgatitemi për duelin që na pret kundër Norvegjisë. Norvegjia është kombëtare e respektuar. Ka një futboll të avancuar. Në këta muaj e kemi përcjellë në detaje. Fitorja e saj e thellë kundër Armenisë nuk na ka trembur, edhe pse në këtë format është humbje e thellë. Ne nuk do të hyjmë me atë ndjenjën që ato kanë fituar 10:0. Lojën dhe strategjinë që e ka aplikuar Armenia, nuk do ta aplikojmë ne. Do të mundohemi që të jemi të disiplinuara”, u shpreh Fazlija.

Ajo e pranon se Kosova do të luajë lojë defanzive ndaj Norvegjisë.

“Kosova zhvillon futboll të bukur dhe të hapur. Por, ndaj Norvegjisë kufizohet loja e Kosovës. Do të luajmë me sistemi, 5-4-1. Pra, do të luajmë lojë më defanzive. Armët e forta të Norvegjisë janë përgatitja fizike, është ekip që e qarkullon shumë mirë topin, luan me të parën shumë mirë e po ashtu norvegjezet luajnë shumë mirë edhe pa top, e që është çelësi i suksesit te femrat. Megjithatë, ne i kemi marrë masat, kemi pasur ndeshje që mund të lavdërohemi, si me Holandën ku kemi rezistuar ndaj saj pa pësuar gol për 45 minuta. Kemi fatin që kemi lojtare që vijnë nga diaspora dhe do ta bëjmë një ndeshje të mirë”, u shpreh Fazlija.

Kosova barazoi 1:1 me Shqipërinë në “Elbasan Arena” në ndeshjen e parë kualifikuese për Botërorin e vitit 2023.

Dy futbollistet e Kosovës, Erëleta Memeti dhe Edona Kryeziu, kanë premtuar maksimumin kundër Norvegjisë.

“Norvegjia është e fortë. E kemi përcjellë. Ne jemi përgatitur për ta dhënë maksimumin. Nuk kemi frikë dhe do të dalim në fushë për të arritur rezultat pozitiv”, u shpreh Memeti, e cila luan te Freiburgu në Gjermani.

“E njohim mirë Norvegjinë, por do ta respektojmë veten. Do ta japim maksimumin dhe presim rezultat të mirë. Duke e njohur edhe kundërshtarin, ne nuk do të dorëzohemi, por do ta japim më të mirën”, deklaroi Edona Kryeziu.

Kosova bën pjesë në Grupin F kualifikues së bashku me Norvegjinë, Belgjikën, Shqipërinë, Poloninë dhe Armeninë. Pas Norvegjisë, Kosova luan si mysafire e Belgjikës më 21 tetor.